Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi dyshohet se aksidentoi një fëmijë dhe u largua nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmën e parë.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi gjatë fundjavës në Via delle Grazie, përpara Basilica di San Bernardino, ku po zhvillohej një koncert me prani të shumtë qytetarësh. Sipas raportimeve të ANSA, i mituri u përplas nga një automjet, drejtuesi i të cilit u largua menjëherë me shpejtësi, duke rrezikuar edhe persona të tjerë në zonë.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet e urgjencës dhe karabinierët, të cilët transportuan fëmijën në spitalin “San Salvatore”. Mjekët konstatuan disa fraktura, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Falë kamerave të sigurisë dhe hetimeve të shpejta, autoritetet arritën të identifikojnë të riun shqiptar, i cili dyshohet se kishte tentuar të fshihte automjetin në një parking supermarketi në periferi të qytetit.
Ai u arrestua pas një ndjekjeje nga karabinierët dhe akuzohet për largim nga vendi i aksidentit, mosdhënie ndihme dhe rezistencë ndaj forcave të rendit. Testet e alkoolit dhe ato toksikologjike rezultuan negative.













