Ervin Salianji, ka reaguar pas zgjedhjeve në Hungari, duke e cilësuar rezultatin si një mesazh të fortë politik edhe për Shqipërinë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Salianji deklaron se zgjedhjet në Hungari rrëzuan “mitin” se një sistem i konsoliduar nuk mund të ndryshohet përmes votës.
Ai i referohet qeverisjes së gjatë të kryeministrit Viktor Orbán, e cila sipas tij ishte konsideruar për vite me radhë si e paprekshme, pavarësisht kritikave për kontroll mbi median dhe ndikim të oligarkëve.
Sipas Salianjit, ndryshe nga realiteti politik në Shqipëri, opozita në Hungari arriti të sjellë një kthesë të vërtetë duke u riorganizuar dhe duke ofruar një alternativë të re për qytetarët.
“Hungaria rrëzoi një mit që në Shqipëri përdoret çdo ditë si justifikim:
“Ky sistem nuk mund të ndryshohet me votë”
Një pushtet i përqendruar prej vitesh nga Viktor Orbán, me zgjedhje të kontestuara, media të kapura dhe oligarkë të ushqyer nga qeveria, dukej i paprekshëm. Një histori që ngjan shumë me realitetin që kemi përballë sot me Edi Ramën! Por ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh në Shqipëri, në Hungari ndodhi një kthesë e vërtetë, Opozita nuk u mjaftua me ankesa, qarje, nuk u fsheh pas justifikimeve, nuk u dorëzua. Ajo ndryshoi veten. U riorganizua. Zgjodhi lider të ri! Pati fuqinë të ndryshoje veten! Riktheu besimin te qytetarët. Denoncoi me fakte dhe mobilizoi mbështetje të gjerë popullore e mbi të gjitha, solli një energji të re përmes një lideri të ri si Peter Magyar.
Ky është mësimi i qartë, ndryshimi nuk vjen vetë, duke pritur që sistemi të bjerë.
Ndryshimi vjen kur ke kurajon ta sfidosh dhe ta ndryshosh atë.
Kjo është arsyeja pse prej kohësh kemi nisur lëvizjen për ndryshim në Partine Demokratike!
Një lëvizje që nuk ndërtohet mbi alibi, por mbi përgjegjësi.
Që nuk kërkon pushtet për vete, por besim nga qytetarët.
Që nuk frikësohet nga sistemi, por e sfidon atë çdo ditë. Sepse një e vërtetë mbetet dhe sot u rikonfirmua në Hungari; asnjë pushtet nuk është më i fortë se qytetarët e bashkuar.
Hungaria e bëri, është radha jonë!”,- shkruan Slianji në fb.













