Belind Këlliçi ka ngritur akuza të forta këtë të mërkurë, për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në vend.
Sipas tij, Gjykata e Lartë, me në krye Sokol Sadushin, po përgatit një vendim që mund të çojë në lirimin e Erion Veliaj, i cili po përballet me 13 akuza.
Këlliçi pretendon se Sadushi, do të iniciojë ditën e nesërme, një vendim unifikues që do të ndryshojë praktikën gjyqësore, me qëllim lehtësimin e masës së paraburgimit për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës.
Sipas Këlliçit ky është një nga rastet më të rënda të kapjes së shtetit.
“A mund të ndodhë që në vendin me qeverinë më të korruptuar në Europë, në vendin me stokun më të madh të çështjeve që presin të gjykohen, në vendin ku krimi i organizuar ka zyrë koordinimi në Kryeministri, ta nisë ditën kryegjyqtari i këtij vendi me idenë për të liruar mikun e tij me 13 akuza në kurriz?! Këtë do të bëjë nesër Sadushi i rilindjes. Do të iniciojë ai vetë një vendim që pritet të lehtësojë masën e paraburgimit për kreun e 5D Erion Veliajn. Ky do të jetë niveli më spektakolar i kapjes së shtetit në historinë tonë. Rasti kur një kryebashkiak i korruptuar të vërë në lëvizje Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili me një vendim unifikues pritet të përmbysë praktikën gjyqësore, vetëm e vetëm që Erion Veliaj të lërë qelinë. Pa pyetur fare për pasojat e rënda që do vijnë nga kjo! Para shqiptarëve të vjedhur e keq qeverisur pritet të vihet nesër në skenë edhe kjo farsë. Dhe sa do durojnë qytetarët?! Kemi ne në dorë të marrim një vendim të madh. Me 17 prill bashkohemi para zyrës së krimit e korrupsionit për të shpëtuar Shqipërinë”,- shkruan Këlliçi në fb.














