Një shqiptar, i identifikuar si Nikoll Jerevija, 42 vjeç, i kërkuar nga autoritetet italiane për të përfunduar një dënim prej gjashtë vjetësh e tetë muajsh për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje, po tenton të bllokojë ekstradimin nga Mbretëria e Bashkuar me një pretendim të pazakontë.
Sipas raportimeve, ai ka deklaruar se kthimi në Itali do të pengonte planet e tij për të pasur më shumë fëmijë me partneren.
Jerevija u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar në Londër dhe ka mbetur edhe katër vjet e dhjetë muaj për të vuajtur në Itali. Ai tha në gjykatë se tashmë është në një lidhje afatgjatë me partneren greke, Cristina Ntina, dhe kanë një djalë nën dy vjeç, duke shtuar se plani i tyre ishte të martoheshin dhe të kishin më shumë fëmijë.
Ntina theksoi se Jerevija ishte një baba i dashur dhe i kujdesshëm, dhe se ekstradimi do të ishte i padrejtë për familjen e tyre.
Ai po argumenton gjithashtu se kthimi në Itali do të shkelte Nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), duke e ekspozuar ndaj rrezikut të hakmarrjes nga bashkëpunëtorët e viktimave dhe trajtimeve të padrejta në burg.
Megjithatë, gjyqtari Daniel Sternberg i hodhi poshtë pretendimet e tij, duke argumentuar se interesi publik dhe nevoja për të zbatuar ligjin e emigracionit tejkalonin çështjet personale të familjes. Ai vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të treguar rrezik serioz ndaj Jerevijës në Itali dhe refuzoi argumentet mbi të drejtat e njeriut.
Jerevija pritet të apelojë vendimin para se të merret një vendim përfundimtar mbi ekstradimin e tij.













