Eksperti i ekonomisë, Dorian Teliti, ka analizuar çmimin e lartë të karburanteve në Shqipëri, duke theksuar se nuk është thjesht pasojë e tregjeve ndërkombëtare, por një kombinim i taksimit të lartë dhe një tregu që funksionon në kushte oligopolistike.
Teliti shpjegoi se 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat e vendosura nga shteti, ndërsa vetëm 40% mbulon zinxhirin e kostove që nis nga nxjerrja e naftës bruto, transporti ndërkombëtar, përpunimi në rafineri, shpërndarja në Shqipëri dhe fitimet e kompanive importuese e pikave të shitjes.
Në anën tjetër, Teliti theksoi se edhe tregu i operatorëve nuk funksionon në kushte konkurruese, por në regjim oligopolistik, ku katër importuesit e mëdhenj dhe pikat e karburantit shpesh bien dakord për të mbajtur çmimin.
Ai solli si shembull rastin kur dollari ra me mbi 20%, por çmimi i karburantit në tabelat shqiptare u ul vetëm me 2-3 lekë.
Në anën tjetër, ky 40% tjetër, këto operatorët, katër importuesit e mëdhenj që janë në Shqipëri, që importojnë, plus gjithë ato operatorët e vegjël, funksionojnë në regjimin e konkurrencës së lirë e të ndershme? Aspak nuk funksionojnë. Këta funksionojnë në regjimin e oligopolit.
Që bien dakord me njëri-tjetrin shpeshherë për çmimin. Për të mbajtur çmimin. Po. Dhe do t’ju marr vetëm një rast për të ilustruar, ndër shumë raste që mund të japim, vetëm një rast për të ilustruar.
Kur dollari ishte mbi 100 lekë, çmimi në tabelat e karburanteve ishte 175-176. Sepse dihet që dollari në bursat, më falni karburanti në bursat ndërkombëtare blihet me dollar. Nuk blihet me euro. Në momentin që dollari shkoi 0.8 apo 0.81 lekë, pra ra me mbi 20%, nuk ra çmimi në atë të njëjtën vlerë. Çmimi u ul vetëm me 2-3 lekë. – tha ai.












