Dy shtetas shqiptarë të dyshuar si të përfshirë në botën e krimit janë arrestuar nga policia franceze në Calais, teksa përpiqeshin të hynin ilegalisht në Britaninë e Madhe të fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.
Sipas burimeve hetimore, automjeti po përgatitej të hipte në një traget drejt Britanisë kur autoritetet ndërhynë dhe kryen kontrollin. Gjatë operacionit, njëri prej të arrestuarve u kap duke mbajtur një pistoletë me silenciator të bashkangjitur, ç’ka ngriti menjëherë alarmin tek forcat e rendit.
“Njëri mbante një armë të pajisur me silenciator. Oficerët e specializuar ndërhynë me kujdes dhe arrestimet u kryen pa incidente,” bëri me dije një burim pranë hetimit.
Në pranga përfundoi edhe shoferi i kamionit, ndërsa prokuroria lokale konfirmoi nisjen e dy hetimeve, një për posedim të armës së ndaluar dhe një tjetër ndaj shoferit për ndihmë në emigracion të paligjshëm.
Autoritetet dyshojnë se të arrestuarit mund të kenë lidhje me rrjete të krimit të organizuar shqiptar në Britaninë e Madhe, ku grupe të tilla janë përfshirë shpesh në aktivitete të paligjshme si vjedhje me thyerje, trafikim dhe kontrabandë.
Rasti vjen në një kohë kur emigracioni i paligjshëm përmes Kanalit Anglez mbetet një shqetësim për autoritetet britanike dhe franceze. Në vitet e fundit, shqiptarët kanë përbërë një pjesë të konsiderueshme të personave që tentojnë këtë rrugë, edhe pse shifrat kanë shënuar rënie krahasuar me vitin 2022.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht qëllimin e udhëtimit dhe lidhjet e mundshme kriminale të të arrestuarve.














