Autoritetet në Peru kanë zbuluar shtrirjen e mafies shqiptare të drogës në territorin e tyre, duke përdorur kryeqytetin Lima dhe portin e Callao si pika strategjike për trafikun ndërkombëtar të kokainës drejt Evropës.
Sipas mediave të huaja, zbulimi vjen nga një hetim i publikuar në emisionin “Panorama” të Panamericana Televisión, ku evidentohet se klanet shqiptare kanë krijuar lidhje të forta me grupet kriminale vendase dhe kanë konsoliduar një rrjet të strukturuar trafiku.
Në qendër të skemës rezulton Maglent Dybeli, një shtetas me disa nënshtetësi dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, i cili dyshohet se drejtonte operacionin. Sipas hetimeve, ai kishte ndërtuar një strukturë të mirëorganizuar për dërgimin e kokainës drejt tregjeve evropiane, kryesisht në Gjermani dhe Holandë.
Droga kamuflohej në kontejnerë me produkte deti si peshk dhe kallamar gjigant, si dhe në tulla, metoda që synonin shmangien e kontrolleve doganore. Regjistrimet audiovizuale të siguruara nga hetuesit tregojnë detaje të qarta të mënyrës së fshehjes dhe transportimit të lëndës narkotike.
Sipas hetimeve, kokaina shënohej me simbole si ylli dhe delfini për të garantuar cilësinë dhe origjinën, përpara se të dërgohej drejt Evropës. Një nga destinacionet kryesore ishte porti i Hamburg, ku rrjeti shqiptar dyshohet se kontrollonte shpërndarjen e mëtejshme.
Gjatë operacioneve policore në zona si Callao, Comas dhe Los Olivos, autoritetet sekuestruan dhjetëra pako droge, pajisje komunikimi dhe dokumente të falsifikuara. Në banesën e Dybelit u gjetën gjithashtu pasaporta dhe materiale që dëshmojnë shtrirjen ndërkombëtare të organizatës.
Provat e siguruara nga pajisjet elektronike përfshijnë komunikime të brendshme dhe gjurmë të dërgesave të mëparshme. Ndërkohë, ndaj Dybelit dhe bashkëpunëtorëve të tij është vendosur masa e paraburgimit prej 18 muajsh, ndërsa hetimet vijojnë për të zbërthyer plotësisht rrjetin dhe lidhjet e tij ndërkombëtare.














