Tre persona janë arrestuar nga Policia e Korçës, pasi akuzohen se kanë plagosur pronarin e një servisi automjetesh, pasi nuk u ka pëlqyer shërbimi i këtij të fundit.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, ku sipas Policisë, shtetasit E.D., 39 vjeç, dhe E.Th., 40 vjeç, kanë shkuar me automjet në servisin e shtetasit R.Xh., 35 vjeç, dhe e kanë goditur atë me sende të forta, si dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës.
Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi L.M., 34 vjeç, i cili ndodhej rastësisht në servis në momentin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve hetimore, Policia vuri në pranga tre autorët e dyshuar: E.D., E.Th. dhe L.M., ndërsa për pronarin e servisit nisi procedim penal për veprën “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi gjatë përplasjes ai ka dëmtuar lehtë me një mjet prerës dy prej të përfshirëve.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet, si dhe mjetet prerëse të përdorura në konflikt, konkretisht një bisturi-thikë dhe një gërshërë pune.
Të dëmtuarit kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës dhe më pas janë larguar në banesat e tyre, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.














