Një skemë me ndikim politik dhe interesa familjare po tenton të vendosë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e pushuesve në qytetin e Vlorës.
Në qendër të kësaj situate ndodhet deputetja e Partisë Socialiste, Brisejda Çakërri, e cila rezulton e përfshirë në mbështetje të familjarëve të saj për të siguruar vendosjen e një stacioni për mjete ujore në mes të plazhit publik – një zonë me densitet të lartë pushuesish dhe rrezik maksimal për sigurinë.
Kjo nuk është thjesht një kërkesë biznesi. Është një ndërhyrje që, sipas operatorëve turistikë dhe bizneseve të Lungomares, rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve, duke rikthyer skenarë tragjikë si ai i Himarës, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.
Kjo situatë është bërë edhe më e qartë pak ditë më parë, kur deputetja tentoi të improvizojë një takim të paraqitur si konsultim me operatorët turistikë, menjëherë pas një aktiviteti me studentë në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali”. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe deputetë të tjerë, përfshirë një përfaqësuese të Partisë Demokratike si dhe deputeti Erion Maj, i njohur për afërsinë me deputeten Çakërri.
Personi që ngriti konkretisht kërkesën për vendosjen e stacionit në mes të plazhit ishte Olsen Sherifaj, i njohur si bashkëpunëtor i ngushtë i Aljon Çakërri. Ky i fundit, sipas denoncimeve dhe dokumenteve ekzistuese, është pjesë e një skeme të mirëfilltë zaptimi të hapësirave publike, përfshirë Portin e Peshkimit në Triport, të kthyer në mënyrë të paligjshme në stacion për mjete ujore pa asnjë leje, ndërkohë që përmes të njëjtit rrjet është siguruar edhe një hapësirë në Gadishullin e Karaburunit.
Kërkesa për të futur mjete ujore në mes të plazhit publik ka sjellë reagim të fortë në opinionin publik. Pronarët e bizneseve të Lungomares kanë reaguar përmes një peticioni, duke kundërshtuar këtë nismë dhe duke paralajmëruar rrezikun e lartë për jetën e pushuesve. Ata e konsiderojnë këtë një hap drejt përsëritjes së një tragjedie të paralajmëruar.
Takimi ishte njoftuar si një aktivitet me studentë në bibliotekën e Universitetit “Ismail Qemali”, me pjesëmarrjen e Komisionit të Turizmit, Kulturës dhe Diasporës. Aktiviteti u publikua edhe në faqen zyrtare të deputetes dhe deri në këtë pikë gjithçka paraqitej si një aktivitet normal institucional.
Por ajo që ndodhi më pas ndryshon plotësisht kuadrin.
Në të njëjtën sallë mbërrijnë persona të lidhur me të afërmit e deputetes Çakërri, të prezantuar si drejtues kompanish të mjeteve ujore, të përzier me drejtues anijesh turistike. Fillimisht drejtuesit e anijeve ngritën shqetësimet e tyre, por shumë shpejt u bë e qartë se qëllimi real i takimit ishte mbështetja për Olsen Sherifaj.
Sherifaj, së bashku me Aljon Çakërri, pasi kanë zaptuar në mënyrë të paligjshme Triportin dhe kanë siguruar një hapësirë në Karaburun, kërkojnë të vendosin edhe një pikë të madhe ankorimi për mjete ujore në mes të plazhit publik.
Mbështetjen për këtë nismë deputetja nuk e gjeti brenda mazhorancës, ku interesi personal dhe rreziku janë të njohura. Për këtë arsye, ajo iu drejtua opozitës, duke orientuar diskutimin dhe duke përdorur situatën për qëllime politike.
Deputetja Brisejda Çakërri duke kërkuar mbështetje për kushëririn, një video që është siguruar që mos të publikohej.
Pamjet tregojnë qartë se deputetja, e lidhur ngushtë me interesat e familjarëve të saj, u kërkon të pranishmëve të adresojnë çështjet tek deputetja e Partisë Demokratike, duke ndërtuar një skemë të pastër ndikimi: nga njëra anë të ndihmojë kushëririn dhe bashkëpunëtorin e tij për të marrë stacionin e ankorimit në mes të plazhit, ndërsa nga ana tjetër të krijojë presion dhe sulm politik ndaj drejtimit të bashkisë, në funksion të ambicieve të saj.
Si qëndron çështja e zaptimit nga “Çakërrajt”
Aljon Çakërri, në cilësinë e drejtuesit të Qendrës së Peshkut në Triport, prej më shumë se dy vitesh ka zaptuar hyrjen dhe daljen e portit të peshkimit, duke e kthyer një hapësirë publike në funksion privat, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Hapësira është përdorur si parkim për mjete ujore, duke penguar aktivitetin e peshkatarëve, ndërsa janë vendosur tarifa të paligjshme për hyrje dhe dalje, fillimisht si gjoba dhe më pas të maskuara si pagesa me kupon për përdorimin e një prone shtetërore.
Ka pasur përplasje të vazhdueshme me drejtues të mjeteve ujore dhe ankesa të shumta nga peshkatarët. Dy vite më parë, Policia e Vlorës ndërhyri duke hequr strukturat e paligjshme dhe duke nisur procedim penal. Ekziston edhe dokumentacion nga Inspektoriati i Peshkimit.

Megjithatë, aktiviteti nuk u ndal. Strukturat u rikthyen, madje në përmasa më të mëdha, dhe vijojnë të funksionojnë, duke u ekspozuar publikisht edhe në rrjete sociale.
Gjoba dhe ndërhyrjet institucionale
Pas ankesave, IKMT vendosi një gjobë prej 20 milionë lekësh të vjetra ndaj Olsen Sherifaj. Në mënyrë të pashpjegueshme, kjo gjobë u anulua dhe u zëvendësua vetëm me një procesverbal dhe paralajmërim, me argumentin se bëhej fjalë për një “test”.

Pavarësisht kësaj, aktiviteti i paligjshëm vijoi, duke ngritur dyshime serioze për mbrojtje apo ndërhyrje në favor të kësaj skeme.

Tentativa për të zaptuar dhe legalizuar hapësirat
Për të shmangur pasojat ligjore, u tentua legalizimi i situatës përmes institucioneve. Një relacion i përgatitur nga topografi Ajken Hoxha pretendonte se Triporti dhe Porti i Vlorës mund të përdoreshin për aktivitete turistike ujore, duke deklaruar në mënyrë të pavërtetë se hartat ishin të njëjta me vitet e mëparshme.
Dokumenti nuk u konsultua me Kapitenerinë dhe Policinë Kufitare dhe injoronte rrezikun real detar. Pas reagimeve të forta, kjo nismë u tërhoq.
Ndërkohë, përmes emrit të Olsen Sherifaj është marrë edhe një hapësirë në Karaburun.
Plazhi publik në rrezik
Pas dështimeve në Triport dhe përpjekjeve për legalizim, tashmë fokusi është zhvendosur drejt plazhit publik, duke synuar vendosjen e një stacioni të madh për mjete ujore në një zonë të mbushur me pushues.
Shoqata e Turizmit, bizneset e Lungomares dhe operatorët turistikë kanë reaguar fuqishëm, duke kundërshtuar këtë plan dhe duke kërkuar ruajtjen e plazheve publike si zona të sigurta. Sipas tyre, ekzistojnë zona të tjera të përshtatshme për këtë aktivitet dhe çdo ndërhyrje në plazh përbën rrezik të drejtpërdrejtë.
Ata paralajmërojnë se çdo vendim i marrë nën ndikim politik që rrezikon jetën e qytetarëve do të sjellë përgjegjësi penale dhe civile për çdo zyrtar që e miraton.

Një precedent që nuk duhet të përsëritet
Ngjarja e Himarës mbetet një paralajmërim i qartë për pasojat që sjell përzierja e mjeteve ujore me zonat e plazhit publik.
Në këtë kontekst, ajo që po ndodh në Vlorë nuk është më një çështje lokale apo një debat mes operatorësh. Është një përplasje e drejtpërdrejtë mes sigurisë së jetës së qytetarëve dhe interesave private të mbështetura politikisht.
Vendimmarrja në këtë rast do të jetë një test i qartë për institucionet: nëse do të mbrojnë jetën e qytetarëve apo do t’i hapin rrugë një skeme që rrezikon gjithçka./Boldnews.al













