Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Reformën në Drejtësi ku nuk është arritur të merret vendim në lidhje me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Palët nuk kanë gjetur dakordësinë për formulën, ndërsa zgjidhja të diskutohet nga ekspertët për ta diskutuar më pas nga tryeza politike.
Sipas burimeve, nuk është rënë dakord për formulën me 3/5-t, duke mbetur ende pezull reforma në drejtësi.
“Përfundoi faza e parë e diskutimeve mbi 10 çështjet e dialogut politik dhe në këto 10 çështje përfshihen edhe dy komponentët kryesor të paketës së ndryshimeve kushtetuese. Është një komponent i luftës antikorrupsion në sistemin e drejtësisë për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Komponenti tjetër ka të bëjë me arkitekturën e sistemit për krijimin e institucioneve të përhershme. Në këtë komponent ka disa mosdakordësi. Lidhur me komponentin e parë, të tre elementët, si ngritja e Byrosë së Hetimit pranë Prokurorisë, ngritjen e Prokurorisë Speciale për korrupsionin në nivelet e larta, dhe për komponentit tjetër siç është kontrolli i gjyqtarëve, ka një dakordësi thuajse të plotë midis palëve.” – u shpreh Halimi.
Edhe Xhafaj konfirmoi ngërçin në këtë pikë. “Institucionet e reja janë çështja më e debatueshme”, tha ai duke shprehu bindjen se palët do të avancojnë drejt gjetjes së një qëndrimi të përbashkët në ditët në vijim.
Komisioni rinisi punën pas 3 javësh ndërprerje. Partia Demokratike iu rikthye bisedimeve, pasi Kuvendi miratoi të enjten dy kërkesat e saj për zbatimin e Kushtetutës, ngritjen e komisionit hetimor për CEZ-in dhe interpretimin nga Gjykata Kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të dy deputetëve.
Përmbushja e këtyre kushteve rikthen opozitën jo vetëm në komisionin e drejtësisë, por edhe në komisionet e tjera parlamentare, duke i dhënë fund marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin.
Ndërkohë, Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet një deklarate të përbashkët mbështeten rifillimin e dialogut. Ata u bënë thirrje partive politike që të dëgjojnë zërin e 91 përqind të shqiptarëve që e mbështesin këtë reformë të rëndësishme, duke e çuar atë drejt përfundimit me sukses pa vonesa apo pengesa.
“Të gjitha partitë politike kanë një rol në këtë proces dhe kanë përgjegjësinë madhore për të arritur një marrëveshje”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Mbledhja e Komisionit për Reformën në Drejtësi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe atje ka marrë pjesë në fillim edhe Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vllahutin, e cila ka inkurajuar palët ta miratojnë reformën deri në verë.