Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Roland Puja Deraj, autorin e vrasjes së Skerdilajd Isufit në Kavajë.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën, kur 48-vjeçari Isufi humbi jetën si pasojë e plagëve të marra me mjet prerës.
Sipas informacioneve, viktima kishte shkuar te xhaxhai dhe kishte parkuar automjetin para banesës së Roland Puja Derajt.
Ky i fundit i ka kërkuar të largojë makinën, duke sjellë nisjen e një konflikti verbal mes tyre.
Gjatë debatit, viktima dyshohet se i është përgjigjur në mënyrë të ashpër autorit. Në atë moment, Deraj ka nxjerrë një thikë, e ka ndjekur dhe e ka goditur dy herë në pjesën e zemrës, duke i shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa autori tashmë ndodhet pas hekurave.














