Gjykata e Posaçme liroi nga qelia ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja. Vendimi është marrë mëngjesin e sotëm, (21 shkurt) pasi gjykata pranoi kërkesën e Jurgys Çyrbjas, për shuarjen e masës së sigurisë.
E njëjta kërkesë u depozitua në gjykatë ditën e djeshme, por trupi gjykues nuk e pranoi atë pasi duhet ish-deputeti sipas gjykatës duhet të qëndronte dhe disa orë në burg, që të përmbushej plotësisht baza ligjore.
Çyrbja u deklarua fajtor dhe dënua me 3 vite burgim për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai duhet të vuante 2 vjet burg.
Pjesën më të madhe të kohës ish-deputeti e kaloi në paraburgim teksa ai u arrestua në 20 tetor të vitit 2024.
Sipas hetimeve ish-deputeti Jurgis Çyrbja kishte konsumuar në tetë raste veprën penale tregtim i sekretit shtetëror, në pesë raste veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit si dhe korrupsion zgjedhor në mars të vitit 2021.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, është provuar se Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”.
Gjithashtu i pandehuri Altin Hajri dyshohet se ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.
Akuzat ndaj ish-deputetit
Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024).
Në periudhën objekt hetimi, ai ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, (person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale).
Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, sipas SPAK.
Nga ana tjetër, Altin Hajri, duke pranuar favoret e ofruara nga ana e të pandehurit Jurgis Çyrbja, por në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.













