Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 14 shkurtit në Montecalvoli në Itali.
Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, përvec autorit të dyshuar të krimit 20-vjeçari me origjinë shqiptare Renato Xyke, për të dëshmuar është thirrur dhe një mik i tij 18-vjeçar i cili ndodhej në automjet në momentin e të shtënave.
Sipas raportimeve, dëshmia e të riut, ishte kontradiktore gjatë procesit të marrjes në pyetje që zgjati rreth tre orë.
Dëshmia
I riu, dukshëm i tronditur, ka pranuar se ka qenë dëshmitar i vrasjes në Viale della Repubblica, ndërsa ndodhej në sediljen e pasagjerit të një automjeti tip Range Rover Evoque, i drejtuar nga Xyke. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni që miku i tij mbante me vete një armë zjarri – konkretisht një pistoletë gjysmëautomatike Beretta, kalibri 7.65 mm, e mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe e gjetur më pas pranë banesës së të ndaluarit në Montecalvoli – dhe as që kishte ndërmend ta përdorte atë kundër viktimës.
Aktualisht, 18-vjeçari hetohet për bashkëpunim në vrasje me dashje, të rënduar nga motive të dobëta. Një tjetër element i ri është se në automjetin tip SUV ndodhej edhe një i mitur, i ulur në sediljen e pasme.
Detajet e ngjarjes
Vrasja e Kevin Muharremi, 25 vjeç, ndodhi në orët e para të mëngjesit të 14 shkurtit 2026 në Montecalvoli, në zonën e Santa Maria a Monte, Itali. Ngjarja erdhi pas një konflikti mes dy grupeve të rinjsh me origjinë shqiptare, i cili kishte nisur disa orë më parë brenda një lokali nate dhe kishte vazhduar më pas në parking.
Sipas hetimeve paraprake, dy grupet kishin lënë takim për t’u përballur sërish në Viale della Repubblica. Situata degradoi kur, pas një përplasjeje mes automjeteve, një 20-vjeçar i identifikuar si Renato Xyke hapi zjarr me një pistoletë gjysmëautomatike ndaj automjetit ku ndodhej Muharremi. Viktima u godit nga disa plumba dhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve.
I dyshuari u arrestua më vonë nga policia në autostradën A1, ndërsa po largohej me familjarët e tij.
Renato Xyke mbetet në burg
Gjykata konfirmoi arrestimin e 20-vjeçarit Renato Xyke. Çështja tani po i dorëzohet zyrës së prokurorit të Pizës, e cila filloi një hetim të plotë të shtunën, nga këqyrja e kamerave të sigurisë lokale deri te intervistimi i kujtdo që mund të ketë informacione, duke përfshirë kontrollin e të dhënave telefonike midis të rinjve të përfshirë, gjë që ka çuar tashmë në sekuestrimin e armës dhe marrjen e disa provave. Pritet të merret në pyetje 20 vjeçari i arrestuar. Ai përballet me akuza për vrasje me dashje. Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje.














