Analisti Andi Bushati, i ftuar në SYRI TV, komentoi marrëdhëniet e Edi Ramës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se Rama është një autokrat i konsoliduar.
Ai vuri në dukje çështjen e Belinda Ballukut, duke thënë se zgjidhja e saj mund të ketë pasoja për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Bushati tha se Rama nuk ka të njëjtën mbështetje si me administratën demokrate. “Rama është një autokrat që kontrollon gjithçka. Sot nuk i duhet mbështetje e jashtme, i mjafton neutraliteti i ndërkombëtarëve,” tha ai.
‘Sipas mendimit tim kemi sinjale që mund të jenë të interpretueshme, por nuk kemi një qartësi që ka një izolim apo një goditje ndërkombëtare të Edi Ramës.
Sidomos nga europianët, çfarë kemi marrë sinjale është çështja e Ballukut. Dhe problemi shtrohet, në qoftë se Rama nesër ose të mërkurën ose të enjten e dorëzon Belinda Ballukun, kemi prapë një problem të Ramës me BE-në?
Deri tani, pra, pa dalë çështja e Ballukut kemi pasur zero probleme. Në qoftë se çështja Balluku zgjidhet, siç ja kërkon Gjermania apo Holanda, do të kemi më problem?
Nuk di ta them se mund të kemi problem. Pra, jemi shumë shpejt për të thënë ka një problem midis Ramës dhe BE-së.
Përsa i përket Amerikës, po, është evidente që Edi Rama nuk ka të njëjtën marrëdhënie siç ka pasur me administratën demokrate. Por nga ana tjetër është vështirë të thuhet që ka një administratë që po e godet Ramën.
Dhe në optikën time, Rama është bërë aq i fortë në Shqipëri, pra një autokrat që kontrollon gjithçka, që sot më nuk i duhet mbështetja, sot i duhet dhe thjesht neutraliteti i ndërkombëtarëve.
Në qoftë se ka një Bruksel që thotë me reformat po vazhdohet, ato grup-kapituj po vazhdohen, dhe një Amerikë që nuk e godet me çekan në kokë, edhe në qoftë se nuk e do, Rama është njeriu më i privilegjuar.
Sepse këtu i ka mbyllur të gjitha valvulat e demokracisë dhe në qoftë se nuk përkrahet, po nuk rrezikohet nga jashtë, mund të sundojë edhe dy dekada të tjera këtu. Kështu që në këtë kuptim, unë nuk shoh se akoma Rama të ndihet i rrezikuar nga ndërkombëtarët’, theksoi ndër të tjera, Andi Bushati në SYRI TV.














