Reperi italian Emilio Finizio, i njohur me emrin e artit “Malacarne”, është arrestuar nga policia në Milano për akuza që lidhen me trafik droge. Ai rezulton i dënuar më herët me 4 vite e 10 muaj burg për plagosjen me thikë të një futbollisti shqiptar në vitin 2019.
Sipas mediave italiane dhe agjencisë ANSA, 44-vjeçari u ndalua pasi u vu re në zonën e Viale Monza duke pritur një person. Pas një takimi të shkurtër, të dy hynë në një ndërtesë dhe më pas u larguan me makinë, e cila u ndalua për kontroll nga policia në Via Calabria.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën disa gramë kokainë dhe hashash, si dhe rreth 400 euro para të gatshme. Kontrolli i mëpasshëm në banesën e tij në Viale Monza zbuloi sasi të tjera lëndësh narkotike, mes tyre kanabis, ketaminë, MDMA dhe oksikodon, një peshore precize si dhe 1,500 euro.
Emilio Finizio ishte shpallur fajtor në vitin 2019 për plagosjen me thikë të futbollistit shqiptar, Aldi Shpijati gjatë një konflikti në stacionin e trenit në Scandiano, në provincën e Reggio Emilia. Për këtë ngjarje ai u dënua me 4 vite e 10 muaj burg.














