Nga Boldnews.al
Në teatrin politik të Tiranës po luhet një akt që tejkalon thjesht emërimet administrative; po konsumohet goditja finale ndaj sovranitetit financiar të Shqipërisë. Banka e Shqipërisë, institucioni që duhet të shërbente si digë kundër informalitetit dhe pastrimit të parave, po dorëzohet pa betejë në duart e një strukture hibride mes politikës, oligarkisë dhe narko-mafies. Pyetja që ulëret sot është: Ku është Opozita?
Heshtja e saj në Komisionin e Ekonomisë dhe në sallën e Kuvendit nuk është thjesht indiferencë, por një akt bashkëfajësie që legjitimon shndërrimin e rregullatorit në një shtëpi shërbimi për klanet kriminale. Skema e “kapjes” po operon në dy nivele, ku në të dyja rastet opozita ka dështuar të ushtrojë misionin e saj kushtetues:
- Segmenti Ekzekutiv: Propozimet direkte të Kryeministrit po diktohen nga oligarkia dhe lobe interesash të ndërthurura me rrethin e tij familjar. Ky është një konflikt flagrant interesi që synon të blindojë bordin me individë që do të garantojnë paprekshmërinë e monopoleve dhe flukseve financiare të klanit në pushtet.
- Segmenti Legjislativ: Në Kuvend, oligarkët dhe narko-mafia po lobojnë hapur për të infiltruar “ushtarët” e saj brenda Këshillit Mbikëqyrës me pëlqimin e heshtur të Kryeministrit. Përballë këtij penetrimi të strukturave kriminale në arkën e shtetit, opozita po mjaftohet me retorikë periferike, duke mos ofruar asnjë rezistencë reale ndaj kandidaturave që mbartin damkën e shërbimit ndaj mafies.
Një nga pikat më skandaloze të këtij procesi është procedura e aplikimit e mbyllur në fshehtësi në fund të vitit 2025 në Kuvend. Në një sfidë të hapur ndaj çdo standardi ndërkombëtar të transparencës, institucioni që duhet të ishte garant i ligjit pranoi kushtin absurd dhe dosjet nuk u lejuan të dërgoheshin me postë zyrtare, por janë dorëzuar vetëm dorazi. Ky detyrim është një filtër mesjetar që u lejon sekserëve të pushtetit, oligarkisë dhe narko-mafies të skanojnë, kontrollojnë dhe bllokojnë në kohë reale çdo kandidaturë të pavarur përpara se dosja të protokollohet. Ky “check-in” fizik është prova e pakundërshtueshme se gara është e paracaktuar brenda mureve të Kuvendit. Fakti që opozita nuk e denoncoi këtë fshehtësi dhe këtë filtër korruptiv që në gjenezë, e bën atë partnere të plotë në këtë sistem të mbyllur klanor.
Në këtë klimë ku salla e ligjeve po kthehet hapur në një zyrë noterie për oligarkinë dhe mafien e narko-trafikut, nuk mund të pranohet më pasiviteti institucional. Opozita, me heshtjen e saj, po lejon që në “Tempullin e Demokracisë” të instalohen individë, profili i të cilëve lë hije të forta dyshimi; kjo pasi historiku i tyre i shërbimit ndaj interesave të ngushta ekonomike peshon më rëndë se integriteti dhe CV-ja e tyre profesionale. Ky degradim i funonit parlamentar në një thjesht zyrë noterie konfirmohet nga faktet: shumica e kandidatëve aktualë nuk janë përzgjedhur për dijen e tyre monetare, por për zellin me të cilin i kanë shërbyer në të shkuarën interesave të errëta të rrethit familjar të Kryeministrit, oligarkisë dhe narko-mafias. Nuk jemi përpara një konkursi vlerash, por përpara një rekrutimi besnikësh që garanton se Banka e Shqipërisë do të mbetet një instrument në shërbim të klaneve dhe jo një mburojë e stabilitetit financiar të vendit.
Përballë këtij asgjësimi institucional, lëshimi i një thirrjeje për përgjegjësi nuk mjafton; gara duhet të rihapet menjëherë si kusht ekzistencial për sigurinë financiare të vendit. Ky proces është nul, i inkriminuar dhe i ndërtuar mbi kritere servilizmi, prandaj duhet të anulohet pa asnjë vonesë. Institucioni më i lartë monetar nuk mund të trajtohet si plaçkë lufte për njerëz pa asnjë eksperiencë në fushën monetare, të cilët janë përzgjedhur vetëm si shërbëtorë të zellshëm të oligarkëve dhe narko-mafies. Gara duhet t’u rikthehet profesionistëve të vërtetë, përmes një procesi me transparencë totale, aplikime digjitale dhe monitorim të rreptë ndërkombëtar. Opozita me heshtjen apo bërjen pjesë e kuorumit për këtë bord të inkriminuar po konsumon tradhtinë finale ndaj qytetarëve, duke votuar hapur pro stabilitetit të narko-eurove dhe varfërimit të shqiptarëve. Koha për të vepruar në mbrojtje të “Kalasë së Lekut” është tani, ose opozita duhet të pranojë publikisht se është thjesht një fasadë e shëmtuar në shërbim të oligarkisë dhe krimit të organizuar.














