Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka vendosur përmes një udhëzimi të posaçëm se cilat duhet të jenë procedurat teknike që përmbaruesit gjyqësor privat duhet të përmbushin, për derdhjen e pagesës në llogarinë bankare lidhur me shërbimet e ofruara.
Sipas këtij udhëzimi, përmbaruesit gjyqësor privat duhet të hapin llogari rrjedhëse bankare të deklaruar dhe të kryejnë gjatë punës së tyre në këtë llogari të gjitha veprimet financiare, që kanë të bëjnë me procedurat e ekzekutimit.
Kjo llogari bankare në asnjë rast nuk duhet të gjenerojë interesa dhe duhet të jetë e ndryshme nga çdo lloj llogarie bankare që përdor përmbaruesi gjyqësor privat, si person fizik ose juridik.
Më tej, në këtë udhëzim përcaktohet se debitori ndaj të cilit ka filluar procedura e ekzekutimit të urdhrit të ekzekutimit, detyrohet t’i paguajë detyrimin dhe tarifën subjektit përmbarimor. Për këtë qëllim debitori pajiset nga përmbaruesi me të dhënat e sakta në lidhje me emërtimin dhe numrin e llogarisë bankare.
Ndërkohë, transferimi i shumës nga llogaria bankare e përmbaruesit gjyqësor privat në llogarinë të kreditorit bëhet nga përmbaruesi, në përputhje me rregullat përkatëse bankare, të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu ky udhëzim përcakton se komisionet bankare që aplikohen nga bankat për transferta paguhen nga personi që do të kryejë transaksionin, në llogarinë bankare të përmbaruesit gjyqësor privat.
Referuar këtij udhëzimi, shumat e depozituara në llogarinë e përmbaruesit gjyqësor privat mbahen për llogari të palëve objekt ekzekutimi, për të cilat janë marrë dhe mbahen këto para.
Njëkohësisht ky udhëzim qartëson se veprimet përmbarimore dhe/ose ato të administratës tatimore qendrore ose vendore, me qëllim ekzekutimin e detyrimeve të përmbaruesit gjyqësor privat kundrejt palëve të treta, nuk mund të shtrihen mbi këtë llogari bankare të dedikuar për kryerjen e transaksioneve të tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme.