Situata pas motit të keq në qarkun e Korçës po shkon drejt përmirësimit, megjithëse vijojnë ende disa problematika të lokalizuara.
Sipas raportimeve nga strukturat përgjegjëse, nga 600 abonentë të raportuar pa energji elektrike në orët e mëngjesit, aktualisht rezulton se janë 4 fiderë pjesërisht të stakuar, duke lënë pa energji rreth 80 abonentë në zonat rurale.
Në zonat urbane nuk raportohen kufizime në furnizimin me energji elektrike.
Nga bashkitë bëhet me dije se mbeten ende të bllokuara rrugët në fshatrat Zall Torrë, Slabinjë, Malinë dhe Dunicë.
Ndërkohë, segmenti rrugor në fshatin Mesmal, ku ka pasur rrëshqitje dherash, si dhe segmenti në fshatin Lozhan i Lartë, ku po kryhen punime, pritet të hapen brenda pak orësh.













