Drejtuesi politik i PL-së për Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, ka reaguar sërish në lidhje me përmbytjet e shkaktuara nga moti i keq në vend.
Në një postim në rrjete sociale, ai ka ndarë pamjet nga zona Salcë – Kozare e cila vijon prej ditësh të jetë e përmbytur, teksa shkruan se ky është një skandal i shkaktuar si pasojë e abuzimeve dhe vjedhjeve.
Sipas Maliqit, shpallja e gjendjes së emergjencës civile është një domosdoshmëri, por Edi Rama e shmang këtë pasi paratë i do për oligarkët, banditët dhe lobime me të huajt.
“Shpallja e gjendjes së emergjencës civile është një domosdoshmëri për t’u ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura, me dëme të mëdha në banesa, biznese, parcela bujqësore dhe bagëti.
Rama e shmang këtë, pasi paratë i ka për oligarkët, banditët dhe për lobime me të huajt, me qëllim mbijetesën në pushtet, duke sunduar mbi fatkeqësitë e njerëzve, mbi popullin e varfër dhe të shpopulluar, të cilin e përbuz, e shtyp dhe e blen, si në regjimet totalitare diktatoriale.
Turp, skandal, ligësi, djallëzi, poshtërsi. Koha ta largojmë me revolta. Shihni gjëndjen katastrofike në Salcë – Kozare të Bashkisë së grabitur nga i paafti i dënuari Hajdari në Kucovë! Keqardhje dhe solidaritet të plotë me banorët”,- shkruan Maliqi në fb.














