Irani po përjeton ditën e shtatë të protestave, ndërsa bilanci i përleshjeve është rënduar. Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 12 persona, përfshirë edhe anëtarë të forcave të sigurisë, kanë humbur jetën që nga 30 dhjetori.
Tubime të reja u mbajtën mbrëmjen e së shtunës në Teheran, ndërsa dhuna është përhapur në disa provinca të Iranit perëndimor. Lëvizja protestuese nisi më 28 dhjetor, fillimisht e lidhur me koston e jetesës, por më pas mori edhe kërkesa politike.
Sipas Agence France-Presse, protestat janë shënuar në rreth 40 qytete, kryesisht të vogla dhe të mesme, me përqendrim në perëndim të vendit. Vlerësimi bazohet në njoftime zyrtare dhe raportime mediatike.
Agjencia iraniane Fars raportoi se demonstratat në Teheran ishin të kufizuara, me grupe prej 50 deri në 200 të rinjsh. U dëgjuan slogane politike si “Vdekje diktatorit”, por sipas të njëjtit burim nuk u shënuan incidente të mëdha në kryeqytet, i cili ka rreth 10 milionë banorë.
Në zona të tjera situata ka qenë më e dhunshme. Në Malekshahi, një qark me rreth 20 mijë banorë dhe popullsi të konsiderueshme kurde, mediat iraniane raportuan se një anëtar i forcave të sigurisë u vra gjatë përleshjeve. Dhunë dhe shkatërrime janë raportuar edhe në rajone të tjera perëndimore, qindra kilometra larg Teheranit.
AFP vëren se autoritetet dhe mediat iraniane nuk raportojnë gjithmonë me detaje për çdo incident, çka e vështirëson vlerësimin e plotë të situatës. Ndërkohë, videot e protestave po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, por vërtetësia e të gjithave nuk mund të konfirmohet.














