Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i ka kërkuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) hetim disiplinor ndaj gjyqtarit të Lezhës, Ilir Përdeda.
Sipas shkresës së publikuar në media, Lamallari argumenton se gjyqtari Përdeda nuk ka zbardhur prej një viti vendimin e arsyetuar duke penguar në këtë mënyrë palët (në rastin konkret ankuesin), që të realizojnë një ankim efektiv ndaj atij vendimi.
“Moszbardhja e vendimit të arsyetuar nga ana e gjyqtarit prej 1 viti, përbën një vonesë të konsiderueshme, e cila ka penguar palët (në rastin konkret ankuesin), që të realizojnë një ankim efektiv ndaj atij vendimi. Duke mos patur palët vendimin e arsyetuar të gjykatës, kryerja e ankimit vështirësohet, pasi nuk dihen argumentet me të cilat gjykata rrëzoi pretendimet e palëve, apo të palës që nuk është dakord me vendimin”, thuhet në shkresë.
Sipas shkresës, vendimi nga gjyqtari është marrë më datë 18.12.2024 dhe deri më datë 10.12.2025 nuk është depozituar ende në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
“Nga hetimi administrativ i kryer nga ana jonë nëpërmjet marrjes së informacionit nga kancelarja Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë rezulton se: dosja gjyqësore që i përket vendimit të sipërcituar, deri në datë 10.12.2025 nuk është dorëzuar ende pranë zyrës së kryesekretarisë nga gjyqtari i çështjes Ilir Përdeda, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme të komunikimit të vendimit palëve në proces. Pra, nga data e shpalljes së vendimit përfundimtar në seancën gjyqësore të datës 18.12.2024 e deri më datë 10.12.2025, ka një diferencë kohore prej rreth 1 viti”, thuhet më tej në shkresë.














