Nga Boldnews.al
Në ditë pushimi, kryeministri Edi Rama jo pa qëllim hapi diskutimin e zgjatur të çështjes Balluku, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi të rrëzojë vendimin e SPAK dhe GJKKO-së që pezullonte nga detyra zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Ramës i duhej të futej në rol, sikur e kish pritur plot kërshëri vendimin, ndonëse qartësisht duket se një vendim i tillë kishte kohë që qe shkruar në godinën përbri Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, arsyeja e daljes së tij, nuk ishte vetëm interpretimi i vendimit, por qëllimi bash e në mish me pisqollën e Rilindjes kundër sistemit të ri të drejtësisë, një “foshnje” që tundet, shkundet, qortohet dhe përkedhelet në djepin e pushtetit.
Këtë herë e kapi me BKH-në, Byronë Kombëtare të Hetimit. “…protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllakentek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, tha Rama.
Me këtë Qëndrim, hamendësimet zgjatën ca në katundin tonë, me pyetje e madje edhe arsyetime me siguri se: Kur kishin shkuar, përse kishin shkuar, po Rama a ishte “trembur”, kur BKH-istat shkuan? Mos kanë marrë urdhër andej përtej Atlantikut? Çfarë po kurdiset, mos po i vjen fundi..?
Vetë Rama e la pa përgjigje arsyen se përse pjestarët e BKH-së kishin shkuar në kryemninistri, por u mor vetëm me patllaken e tyre, duke turbulluar për gati një orë rradaken e qytetarëve që nisën të besonin se një gjë e madhe po ndodhte: BKH në kryeministri, nuk është pak…!
Vetë BKH prishi ëndrrën me “alleatë që do zbarkonin”, duke shpjeguar arsyen e pranisë së tyre në kryeministri dhe u mor gjatë me çështjen e patllakes, apo të një idiotësie proceduruiale që si hy as dreqit në punë. Pra, e lagu, se lagu!
BKH reagoi zyrtarisht. “Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku”, tha BKH duke zbuluar arsyen e vetme të mësymjes në kryeministri.
Më pas në të njëjtën deklaratë zyrtare tregojnë edhe për çështjen e “patllakes”, duke bërë konologji sesi shkuan, sesi garda i informoi se duhet të dorëzoheshin armët dhe gjithashtu edhe si një hetues i BKH-së kishte kërkur të shihte dollapin ku do mbaheshin armët e tyre dhe se gjithçka kishte shkuar normalisht.
“Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”, tha në “shfajësim” Byroja Kombëtare e Hetimit.
Kaq u desh që Rama të bënte një tjetër status duke telendisur edhe më shumë BKH-në, ose “krahun e djathtë” të Prokurorisë Speciale, SPAK. E gjithë kjo në dukje përplasje qe tallja e së dielës që kryeministri Rama po bën me çdo nismë të drejtësisë së re. Kryeministri po u tregon se është ai që shtrëngon frenat sa herë do, madje ka në duar edhe kapistrallin e tyre për ta yshtur në udhën që shkel, apo ndërsyer atje ku kërkon të kafshojë.
“Kafsha e barrës” që mban mbi shpinë kreun e qeverisë, në ndonjë rast hedh vickla, si për të thënë se është e sertë dhe pret trastën e tagjisë nga i Zoti kalorës që si varen hiç këmbët e gjata. Patllakja e tyre deri më tani është e lagur, me kohë do zerë edhe ndryshk, por qëllon ndonjëherë duke lënë të palosur përtokë ndonjë të mbetur nga opozita zyrtare, ose kokëshkretët e Rilindjes që ëndërronin postin kryeministror.














