Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për media ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se nisma qeveritare e njohur si “Paketa e Maleve” është shndërruar në një projekt të kapur nga interesat kriminale dhe trafiku i drogës.
Berisha tha se qeveria ka futur në këtë paketë zona që nuk kanë asnjë lidhje me territor malor, përfshirë Maminasin dhe zona të tjera bregdetare, të cilat ndodhen vetëm 30–70 metra mbi nivelin e detit.
Ai theksoi se këto manipulime janë bërë për t’i hapur rrugë projekteve të dyshimta dhe për të favorizuar grupe të caktuara ekonomike dhe kriminale.
Berisha: “Kryeministri Edi Rama e ktheu Paketën e Maleve në Paketën e Drogës. Janë një sërë zonash zhvillimore në Maminas, a thua se është zonë malore. Këto zona janë 30-70 metra mbi nivelin e detit. Si është pjesa e emrave. Bëhet takimi në Aruba.
Në Aruba shtrohet në tavolinë kulla 120 katësh në qendër të Tiranës, Everesti i Tiranës dhe thirret biznesmeni real. I thuhet do ndërtosh këtë kullë. I thotë “jo” biznesmeni, se nuk kam interes të ndërtoj kullë. Biznesmenit i thuhet se në ndërtimin e kullës ke disa detyra. Do shkosh tek cepi, ku ka qenë Disko Albania.
Këtu ka disa pronarë që nuk kanë pranuar pazaret. I është thënë biznesmenit që nëse nuk pranojnë çmimin, do merret dikush tjetër, ai tjetri është banda.
Detyra e biznesmenit është të gjejë një ortak dhe projektin ta çojnë në studio, që e dikton Edi Rama. Bosët vinin nga Aruba me miliarda. Emrat më të lakuar për Bitcoin janë Olsi Rama dhe Amant Josifi. Mos merremi me emra, të gjithë quhen Edi Rama.”














