Ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja, ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekursin në lidhje me kallëzimin e tij të bërë në SPAK për faljen e gjobave para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Rekursi vjen pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm e cila rrëzoi kërkesën e tij për të detyruar SPAK-un, që të nisë një hetim mbi faljen e gjobave.
Kalaja pretendon se falja e gjobave u bë nga qeveria, dy ditë përpara 11 Majit, datës së zgjedhjeve. Sipas tij, kjo praktikë përbën krim elektoral.
“Dorëzova në Gjykatën e Lartë rekursin, sa i takon kallzimit tim të bërë më herët në SPAK. Kam kallzuar Këshillin e Ministrave qe në kundërshtim me ligjin, fali gjobat 2 dite para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Veprim ky që ndikoi drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve. Ligji shqiptar përcakton se qeveria nuk mund të bëjë politika të tilla fiskale 4 muaj para zgjedhjee dhe deri 4 muaj pas zgjedhjeve. Ju sjell në kujtesë se falja e gjobave 2 ditë para zgjedhjeve preket me një paragraf edhe bë raportin e OSBE-OHDIR.
Rrugëtimi i këtij kallzimi ka filluar në muajin maj, por fillimisht u pushua nga SPAK, ndërkohë unë e ankimova në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe aty më rrëzuan. Më pas e ankimova në Gjykatën e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, edhe aty më rrëzuan. Kurse sot kjo çështje shkon në Gjykatën e Lartë me besimin që do bëhet drejtësi. Pa diskutim që do i shkoj deri në fund kësaj çështje”,- shprehet Kalaja.














