Ka nisur këtë të enjte seanca e fundit e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtuesin e ri të SPAK. Në garë janë katër kandidatë: Adnand Xholi, i cili është i pari që po jep intervistën përpara anëtarëve të KLP-së, si dhe prokurorët Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho.
Procesin janë duke e ndjekur nga afër përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn, dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Kush janë kandidatët?
Adnan Xholi
Është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.
Kjo është hera e dytë që Xholi kandidon për kreun e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Së bashku me Altin Dumanin dhe Elvin Kondilin ai kandidoi edhe në vitin 2022 kur mori vetëm votën e një prej anëtarëve të KLP-së, Sokol Stojanit. Xholi ka hetuar shumë nga dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Klodian Braho
I emëruar prokuror në vitin 2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit.
Elvin Gokaj
Elvin Gokaj e ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë.
Gogaj ka hetuar kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj në lidhje me abuzimet në disa tenderë. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tenderë publikë, kryer në bashkëpunim.
Doloreza Musabelliu
E emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor. Një tjetër dosje e hetuar nga prokurorja është edhe masakra e ndodhur në qendër të Lushnjës në 2017, ku u kërkua “burgim i përjetshëm” për Leart Haxhiun dhe dy shokët e tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.














