Është publikuar videoja e vrasjes së biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla, i njohur si “Mondi”, të dielën në mbrëmje në qytetin e Elbasanit.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur autorët afrohen pranë mjetit të viktimës dhe qëllojnë disa herë, ndërsa personi i armatosur është i veshur me kapuç për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.
Vrasja ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”. Viktima sapo kishte dalë nga zyra dhe u fut në automjetin e tij Range Rover, kur u qëllua me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sipas policisë, pasi u siguruan se objektivi kishte ndërruar jetë, autorët u larguan me një mjet “Audi” të zi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.
Kush ishte Mondi Mëhalla?
Biznesmeni i ekzekutuar mbrëmjen e 30 nëntorit 2025 zotëronte disa aktivitete në Elbasan:
Club-in “Hollywood Lounge Bar”
Pikën e karburantit “Xhaxhi Oil”, në oborrin e së cilës u vra
Kompaninë e taksive dhe transportit “EL-Taxi”

Mond Mëhalla 3 vite nën hetim për pastrim parash
Prokuroria e Elbasanit ka mbajtur për gati tre vite nën hetim biznesmenin Edmond Hyka, i njohur si Mond Mëhalla, për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Hetimi nisi për shkak të të kaluarës së tij problematike jashtë vendit, ku ai ishte proceduar dhe arrestuar si i dyshuar për trafik droge.
Dosja penale ndaj tij u regjistrua në vitin 2020 me numër rendor 1878, dhe u hetua nga prokurorja Edlira Bako. Megjithatë, pas tre viteve hetime, prokuroria nuk arriti të siguronte prova konkrete që të vërtetonin akuzën e pastrimit të parave, duke kërkuar pushimin e çështjes dhe duke e dërguar dosjen në Gjykatën e Elbasanit.
Çështja në fazën gjyqësore është shqyrtuar nga gjyqtari Elis Dine, por deri më tani nuk është bërë publik vendimi përfundimtar i gjykatës mbi hetimin financiar ndaj Mëhallës.
Arrestimet dhe të kërkuarit
Hetimet çuan në arrestimin e Xhino Ago, ish-ortak i viktimës, banues në Elbasan, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në pranga u vu edhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, roje në një karburant, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim dy persona:
Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale
Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për veprat “Vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”
Nevzat Spaho, person me precedentë penalë dyshohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e biznesmenit.
Materialet janë dërguar për ekspertizë, ndërsa një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, po punon për dokumentimin e plotë të çështjes.














