Edhe sot, aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë i bllokuar për shkak të protestave të fermerëve grekë që po zhvillohen në të gjithë Greqinë.
Sipas njoftimeve zyrtare, rruga do të mbetet e mbyllur nga ora 12:00 deri në 18:00 (me orën lokale greke). Si pasojë, puna në pikën kufitare do të pezullohet përkohësisht.
Protestat e fermerëve grekë pritet të zgjasin deri më 5 dhjetor, ndërsa ata kanë paralizuar segmente të rëndësishme rrugore, porte dhe pika doganore në të gjithë Greqinë. Fermerët po protestojnë ndaj pagesave të vonuara, mungesës së dëmshpërblimeve, kostove të larta të prodhimit dhe çmimeve të ulëta të produkteve bujqësore.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 12:00 deri në orën 18:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.














