Deputetja demokrate, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësimin ditën e sotme se fermerët dhe prodhuesit shqiptarë janë lënë në harresë nga qeveria.
Gjatë vizitës në një biznes të grumbullimit dhe shitjes së mandarinave, Zhupa ka deklaruar se paaftësia e AKU-së për të kontrolluar tregun dhe për të gjurmuar abuzuesit ka goditur drejtpërdrejt fermerët dhe bizneset që punojnë me integritet.
Ajo thekson më tej se prodhimet vendase të bëra nga fermerët me shumë mund dhe sakrificë të braktisura prej kohësh nga qeveria, duhet të kenë më shumë mbështetje.
Statusi i plotë i Zhupës:
Vendi ynë është i bekuar nga natyra dhe nga duart punëtore të njerëzve të ndershëm, por fatkeqësisht i mallkuar nga qeveritarë të papërgjegjshëm që nuk i çojnë fondet e buxhetit atje ku duhet: te qytetarët, te fermerët, te ata që punojnë me përkushtim.
Ndërkohë që AKU tregohet e paaftë për të kontrolluar abuzuesit dhe përhapjen e lajmeve të rreme që dëmtojnë fermerët dhe bizneset e ndershme, njerëz si Fatmir Shero vazhdojnë të ndërtojnë modele suksesi me prodhimet e fermerëve të Konispolit.
AKU ka për detyrë të kontrolloj në kohë tregun dhe të gjurmoj abuzuesit për t’i vënë para përgjegjësisë dhe mos të bëhet pjesë e skemave për dëmtimin e prodhimit vendas.
Prodhime me cilësi të jashtëzakonshme, të realizuara vetëm me mund, përkushtim dhe sakrifica dhe fatkeqësisht me zero mbështetje nga shteti.
Të mbështesim punën e fermerëve tanë. Të bejmë produkte vendase. Vetëm kështu i japim vlerë punës së tyre dhe fuqizojmë prodhimin shqiptar














