Të hënën në Bruksel u mbajt konferenca e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE që shënoi hapjen e grupkapitullin e fundit të negociatave brenda 12 muajve nga çelja e grupkapitullit të parë, që është dhe më i rëndësishmi në vlerësimet e BE-së, pasi lidhet me standardet demokratike dhe sundimin e ligjit.
Kapitujt e fundit, të titulluar “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” përmbyllin formalisht fazën e hapjes së 33 kapitujve të negociatave, një hap që sipas Kryeministrit Edi Rama dukej si ëndërr një vit më parë, por tashmë kthehet në një përgjegjësi më të madhe për Shqipërinë.
Rama, i cili fitoi mandatin e katërt qeverisës në maj, e fokusoi gjithë fushatën e tij në premtimin për përmbylljen e negociatave me BE-në brenda këtij mandati qeverisës.
Por pavarësisht se hapja e të gjithë grupkapitujve vlerësohet si një hap ambicioz për qeverinë shqiptare, për ekspertët e integrimit procesi rrezikon të mbetet teknik dhe të mos përkthehet në një proces transformues për vendin.
“Qeveria shqiptare e shikon integrimin si një medalje, jo si proces transformues,” i tha BIRN Altin Gjeta, studiues i Shkencave Politike pranë Universitetit të Birmingham. Sipas tij, hapja e të gjithë kapitujve është ambicioze, por mbyllja e tyre me sukses do të jetë sfidë.
Gledis Gjepali, drejtues i organizatës “European Movement Albania” e shikon hapjen e të gjithë kapitujve si një vlerësim pozitiv për Shqipërinë dhe rikuperim të kohës së humbur. Por sipas tij, ekziston gjithmonë rreziku që procesi të jetë më i mirë në letër se sa në praktikë dhe kjo është sfida me të cilën do të përballet qeverisja në dy vitet e ardhshme.
“Sigurisht që procesi ka rrezik që të duket i mirë në letër, raportime të mira, pjesa formale e përafrimit të legjislacionit realizohet në kohë rekord, por që të çedojmë tek pjesa praktike e zbatimit do të jetë shumë e vështirë që Komisioni Europian apo vendet anëtare ta pranojnë këtë gjë, pasi ata janë aty për të kontrolluar që standardet janë arritur në mënyrën e duhur dhe mjaftueshëm për të treguar që vendi është europianizuar në mënyrë të qënësishme,” i tha ai BIRN-it duke komentuar çeljen e kapitujve të fundit të negociatave.
Sipas Gjipalit, vetë çelja në një kohë kaq të shkurtër e kapitujve tregon se ka pasur një përgatitje paraprake, por gjatë plotësimit të kritereve hap pas hapi vendi ynë do të vlerësohet sa i aftë është, jo vetëm të bëjë përafrim të legjislacionit, por edhe ta zbatojë atë.
Nga ana teknike, sipas tij, në këtë pikë ku ndodhemi negociatat vijojnë me ‘piketat e ndërmjetme’ që janë në disa grupkapitujt më kryesorë, siç është ai i themelorëve.
“Për kapitujt themelorë do të vlerësohemi në fund të vitit dhe kjo ndikon të gjithë kapitujt e tjerë dhe do të jetë testi i parë se sa shpejt ecim ne pas hapjes së negociatave,” shtoi më tej Gjipali.
Edhe Gjeta e lidh mbylljen e negociatave në aspektin teknik me kapitujt themelorë që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, “ku Shqipëria ka probleme të theksuara”.
Nga ana tjetër, ai e sheh procesin e zgjerimit të BE si thellësisht politik, nga njëra anë vullnetin e Shqipërisë për plotësimin formal të kritereve dhe nga ana tjetër krijimin nga Brukseli të një “dritareje mundësie për të integruar disa vende si mesazh force dhe suksese në një kohë krizash gjeopolitike”.
Por, sipas Gjetës, pavarësisht avantazhit që i ofrohet Shqipërisë procesi do të shfaqë probleme në një prespektivë afatgjatë.
“Shqipëria nuk negocion asgjë; thjesht plotëson kriteret sipas pozicionit negociues të BE. Procesi rrezikon të jetë i mirë në letër dhe i patransferueshëm në praktikë. Shqipëria nuk ka brendësuar vlerat e BE. E ka parë procesin më shumë si formë, si imitim dhe simulim sesa si një akt transformues. Kjo do ta përballë me sfida në rast integrimi eventual brenda 5-7 vitesh,” theksoi ai.
Ndryshe nga Gjeta, Gjipali këmbëngul se do të jetë vetë BE dhe vendet anëtare që do të sigurohen që procesi të mos mbetet thjesht në letër.
“Janë një sërë vendesh që pas anëtarësimit kanë hapur probleme për BE dhe kjo bën që ata të jenë shumë të kujdesshëm dhe të kërkojnë zbatim rigoroz të gjitha kërkesave dhe sidomos shtetin e së drejtës dhe më pas të lejojnë anëtarësimin,” thotë ai, duke vlerësuar se dy vitet e ardhshme do të jenë kyçe për të treguar nëse kemi ritmin e duhur dhe cilësinë e duhur për të përmbushur reformat.
/BIRN














