Policia e Durrësit ka arrestuar një 19-vjeçar, i cili dje humbi kontrollin e automjetit dhe përplasi për vdekje një këmbësore 56-vjeçare në rrugën “Skënderbeu” në Golem.
Sipas njoftimit të policisë, drejtuesi i automjetit, R. F., 19 vjeç, akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë paraditen e djeshme, mbi aksidentin në Golem, me pasojë vdekjen e shtetases Sh. Sh., ju informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit që përplasi këmbësoren, shtetasit R. F., 19 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.














