Policia ka dhënë detaje nga kapja e një sasie prej 61 kg drogë në aeroportin e Rinasit dhe arrestimit të dy shtetasve kinezë, Y. G., 37 vjeç dhe Ch. J., 48 vjeç.
Droga ishte ndarë në 120 pako dhe e vendosur në dy valixhe. Sipas bluve, dy shtetas kinezë trafikuan kanabisin nga Bangkoku, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Sasia e kanabisit me përqindje të lartë THC u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, për shitje në Shqipëri, është goditur një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale.
Bazuar në informacionet e siguruara nga Njësia e Informacionit për Pasagjerin, Policia Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Quality”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit kinezë:
-Y. G., 37 vjeç dhe Ch. J., 48 vjeç.
Këta shtetas u kapën në flagrancë në hyrje në Rinas me 2 valixhe me rreth 61 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se e kanë trafikuar nga Bangkoku, me qëllim shitjen në Shqipëri. Sasi e kanabisit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetime të thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.