Sekretariati i Etikës ka përjashtuar nga Kuvendi për 15 ditë deputetin e PD, Gazment Bardhi.
Vendimi u mor pas kërkesës së 14 deputetëve socialistë, të cilët kishin kërkuar përjashtim me 1 muaj me argumentin se Bardhi kishte ofenduar kryeparlamentarin Niko Peleshi.
Përplasja e kreut të grupit parlamentar të PD me Niko Peleshin në seancën e 16 tetorit erdhi për shkak të procedurës, teksa para ligjvënësve raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Bardhi kërkoi që të ishin vetë deputetët që të parashtronin në seancë pyetjet për Komisionerin, por Peleshi refuzoi.
Përplasja verbale mes tyre çoi në përjashtimin e Bardhit nga salla, por për shkak të refuzimit të demokratit për të lënë sallën, Peleshi kaloi në votim dhe mbylli seancën, sërish pa mbyllur diskutimet për rendin e ditës.