• Kontakt
Saturday, October 18, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Drejtuesi i SPAK kërkon shkarkimin e prokurores Mirela Zavalani

SPAK kërkon shkarkimin e prokurores së Tiranës, Mirela Zavalani, për deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe cënim të besimit të publikut, konkluzione që u kundërshtuan si të pabazuara nga subjekti, e cila kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.

09:03 : 17/10/2025
në AKTUALITET, VETTING

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, kërkoi të enjten më 16 tetor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Mirela Zavalani, për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe për cënim të besimit të publikut.

Subjekti i kundërshtoi konkluzionet e drejtuesit të SPAK për deklarime kontradiktore, ndërkohë që përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja Romina Zano, konstatoi se kërkimi për cënim të besimit të publikut, përtej shkaqeve të ankimit, nuk mund të paraqitet jashtë debatit gjyqësor. Ato kërkuan lënien në fuqi të vendimit të KPK, për konfirmimin në detyrë të prokurores Zavalani.

Mirela Zavalani u konfirmua në detyrë më 15 qershor nga KPK, pas një seance dëgjimore ku u evidentuan më së shumti gjetjet për pasurinë e vjehrrit të saj. Po ashtu, u trajtua edhe e ardhura e përfituar nga dhënia me qira kunatit, të një objekti në pronësi të bashkëshortit dhe babait të tij, deklaruar si një ndër burimet për një apartament në Tiranë.

Bashkëshorti i subjektit ka pasqyruar në deklaratën e vetingut pasurinë supermarket, tregtim pjesë këmbimi + servis auto + godinë banimi, me sipërfaqe totale 634 m2, me vendndodhje Patos, Fier, në bashkëpronësi me babanë e tij, me pjesë takuese 50% secili. Si burim krijimi janë deklaruar të ardhurat nga puna e prindërve dhe nga shitja e një apartamenti të mëparshëm.

Lexo edhe:

“Madeira Club”/ Mashtrim 300 mln euro me kripto, bllokohen kompanitë hoteliere të spanjollëve në Shqipëri

Hetimet për Portin e Limionit/ Qori: SPAK të marrë në pyetje Ramën, çdo vendim mban firmën e tij

Komisioni konstatoi kontradikta mes dy deklaratave të prindërve të bashkëshortit lidhur me këtë pasuri, por konkludoi se kjo situatë nuk sillte ndonjë pasojë, pasi mbeteshin në një nivel deklarativ. Ndërsa pamjaftueshmëria financiare e konstatuar për vitet 2004-2006 në shumën rreth 1.3 milionë u çmua si fakt i pamjaftueshëm për penalizim.

Vendimi i KPK u gjet i pabazuar nga Komisionerja Irena Nino, e cila kërkoi verifikimin e përfundimeve të arritura në shkallën e parë të vetingut, si dhe që të vendoset në mënyrë alternative, lënia në fuqi e konfirmimit, ose ndryshimi dhe shkarkimi i subjektit.

Qëndrimi i SPAK

Prokurori Adnan Xholi, që përfaqëson drejtuesin e SPAK në këtë çështje, deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve.

Për supermarketin, servisin dhe godinën e banimit në Patos, Xholi tha se mbetën të provuara deklarimet kontradiktore të subjektit të rivlerësimit lidhur me kohën e ndërtimit, vlerën e shpenzuar dhe burimet e përdorura për ndërtimin e kësaj pasurie. Sipas tij, të paprovuara mbetën edhe pretendimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me kontributin real në ndërtimin e kësaj pasurie për kostot e ndërtimit të periudhës 2004-2007.

Xholi kërkoi që këto shpenzime të përfshihen në analizën financiare të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të për pjesën takuese 50%. Ai argumentoi se, përveç faktit se bashkëshorti i subjektit zotëron 50% të njësisë së shërbimit, në gjithë aktet në dosje lidhur me aplikimin për legalizimin e këtij ndërtimi, ai figuron në rolin e bashkëinvestitorit me të atin. Po ashtu, u evidentua edhe fakti se në deklaratën noteriale të prindërve të bashkëshortit, konfirmohet kontributi i këtij të fundit në ndërtimin e njësisë.

Në vijim, Xholi renditi faktin se ndërtimi i një pjese të njësisë së shërbimit është kryer në vitet 2004-2006, pasi subjekti kishte lidhur martesë ligjore me bashkëshortin, kohë kur të dy kanë qenë të punësuar në funksione publike. Xholi parashtroi edhe faktin se subjekti dhe bashkëshorti kanë deklaruar rregullisht të ardhura nga ky aktivitet, si dhe se ai paraqitet si qiradhënës i kësaj pasurie vëllait të tij.

Duke konsideruar shpenzimet në këtë investim për periudhën 2004-2007, drejtuesi i SPAK vlerëson se bilanci negativ do të rezultonte në vlerë më të madhe nga ajo e konstatuar prej Komisionit. Xholi deklaroi se mosdeklarimet me korrektësi në vite të subjektit e prekin procesin e rivlerësimit në drejtim të pamundësisë së verifikimit të vërtetësisë së deklarimeve në deklaratën e vetingut. Sipas tij, për rrjedhojë vlerësohet se Zavalani ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe se nuk provoi burimet e ligjshme të krijimit të kësaj pasurie.

Drejtuesi i SPAK vlerëson se Zavalani nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit as për një apartament banimi në Tiranë, me argumentin se nuk ka deklaruar saktë burimet financiare të kësaj pasurie. Sipas Xholit, subjekti ka deklaruar vetëm burime fundore të krijimit të pasurive, duke e bërë deklarimin e subjektit në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, jo të plotë dhe në kundërshtim me detyrimet ligjore.

“Subjekti ka kryer deklarime të pasakta e të paplota, si dhe ka mbajtur qëndrime kontradiktore për të dhënat e deklaruara rreth kësaj pasurie, të cilat e bëjnë të pamundur kontrollin e plotë lidhur me të”, argumentoi prokurori Xholi. Ai shtoi se kjo mënyrë deklarimi ndikon edhe në kontrollin e plotë dhe të saktë të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurisë, duke bërë që sjellja e subjektit të mos arrijë nivelin e besueshëm.

Xholi kërkoi që të merret në konsideratë me rezervë në analizën financiare një hua e marrë prej vjehrrit të subjektit, që ka shërbyer si një prej burimeve për krijimin e një depozite, ndërkohë që kjo e fundit është deklaruar se është përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë. Sipas tij, subjekti e ka deklaruar këtë rrethanë gjatë hetimit administrativ.

Lidhur me të ardhurat nga supermarketi, Xholi vërejti se subjekti ka bërë deklarime të ndryshme e kontradiktore për masën dhe qëllimin e përfitimeve, si dhe se ka deklaruar një marrëdhënie qiraje mes bashkëshortit e vëllait të tij vetëm në përgjigje të pyetësorit standard. Sipas Xholit, nuk u provua në asnjë formë, mënyra dhe dokumentimi i përfitimit të këtyre të ardhurave nga ndarja e fitimit apo qiradhënia e objektit. Për rrjedhojë, nga ana e drejtuesit të SPAK çmohet se këto të ardhura nuk mundësojnë kalimin e nivelit të besueshmërisë dhe pranueshmërisë së tyre. Sipas Xholit, edhe në variantin më garantist, këto të ardhura nuk mund të shkojnë përtej pjesës takuese ½ (gjysmës).

Xholi konstatoi se të gjitha bilancet negative të rezultuara nga analiza financiare e kryer prej tyre, në vlerën totale rreth 2.7 milionë lekë, i kalojnë kufijtë e proporcionalitetit.

Për transaksionet e kryera prej bashkëshortit të subjektit në vitet 2010, 2011 dhe 2012, prej drejtuesit të SPAK çmohet se mbetën minimalisht të provuara mungesa e deklarimeve të subjektit dhe personit të lidhur me të. Shpjegimet se bashkëshorti i ka dërguar të vëllait vlerat e marra hua prej këtij të fundit nga të afërmit, konsiderohen jo bindëse. Kjo sjellje vlerësohet se cënon besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Në përfundim, Xholi tha se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënimit të besimit të publikut. Ai kërkoi shkarkimin nga detyra të Zavalanit.

Mbrojtja e Zavalanit

Prokurorja Zavalani e cilësoi ankimin të njëanshëm dhe pa prova të qëndrueshme. Ajo vërejti se nuk është sjellë asnjë provë e re në ankim, si dhe se nga ana e Komisioneres Publike është bërë thjesht interpretim i ndryshëm i fakteve dhe ligjit, nga sa ka bërë KPK.

Që në fillim të fjalës së saj, Zavalani nënvizoi se nuk kishte asnjë lidhje me transaksionet e bashkëshortit dhe se nuk mund të kishte cënim të besimit të publikut. Gjatë parashtrimeve të konkluzioneve ajo theksoi se vlerat e dërguara nga bashkëshorti të vëllait nuk përfaqësojnë pasuri të familjes së saj, por se ka qenë vetëm kanalizim teknik i fondeve të palëve të treta.

“Nuk e kuptova ku ishte cënimi i besimit të publikut nga unë dhe bashkëshorti. Të argumentohej të paktën. Si mund të jetë cënim besimi ndihma dhënë të vëllait”, deklaroi Zavalani lidhur me këtë çështje të ngritur nga drejtuesi i SPAK.

Për konkluzionet e drejtuesit të SPAK për supermarketin, subjekti pretendoi se nuk qëndrojnë konstatimet për deklarime kontradiktore. Ajo shpjegoi se deklarimet për vlerat e investimeve janë bërë bazuar në vlerën e tregut dhe jo në kostot reale. Sipas saj, ajo që quhet pasaktësi apo paqartësi nga ana e drejtuesit të SPAK, në thelb janë ndryshime formale në deklarime që burojnë nga evoluimi i dokumentacionit në kohë. Subjekti vërejti se deklarimet pasqyrojnë të njëjtin realitet material, në momente të ndryshme. Zavalani tha se nuk arrihet pragu i kontradiktës në deklarime, që të mund të bëhet i cënueshëm.

Ajo nënvizoi se ndërtimi i objektit është kryer kohë para lidhjes së martesës dhe ka përfunduar para se ajo të fillonte detyrën. Subjekti pretendoi se, që prej vitit 2004 kur ka deklaruar në cilësinë e oficeres së Policisë Gjyqësore, gjithçka e ka deklaruar në kohë dhe me sinqeritet. Ajo theksoi se nga ana e saj dhe e bashkëshortit nuk ka pasur asnjë investim apo kontribut në ndërtimin e objektit të supermarketit.

Në vijim, shpjegoi se ndërtimi ka qenë vullnetar dhe se vetë vjehrri ka punuar aty, dhe për rrjedhojë kostot kanë qenë më të ulëta edhe nga sa i ka përllogaritur KPK. Lidhur me burimet, subjekti solli në vëmendje se vjehrri ka përdorur të ardhurat e kursimet dhe më vonë ka marrë edhe hua. Ajo u shpreh se nuk ka pasur detyrim të deklaronte huamarrjen e vjehrrit, të kryer me të tretët. Po ashtu, evidentoi se ishin shkëputur nga familja e vjehrrit para se të ushtronte detyrën si prokurore.

“Vetëm vjehrri ka qenë kontribues në ndërtimin e objektit, pasi unë dhe bashkëshorti kemi qenë të orientuar për t’u transferuar në Tiranë”, theksoi Zavalani dhe shtoi se përfshirja e bashkëshortit si bashkëpronar ka qenë një iniciativë e babait të tij, në kuadër të marrëdhënies familjare dhe traditës së saj zakonore. Po ashtu, tha se bashkëshorti nuk mund të ngarkohet me gjysmën e investimit vetëm për arsye se është bashkëpronar, pasi një gjë e tillë do të binte në kundërshtim me provat e administruara.

Ajo këmbënguli se ka përmbushur detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimeve që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie dhe se një gjë e tillë konfirmohet nga të gjitha variantet e analizës financiare. “Ku është cënimi i besimit të publikut tek kjo pasuri, kur verifikohet çdo zhvillim dhe investim, që janë kryer para detyrës time”, pyeti Zavalani.

Për apartamentin në Tiranë, subjekti solli në vëmendje se është e vetmja pasuri që ajo zotëron. Ajo deklaroi se nuk ka asnjë kontradiktë apo pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie. Në vijim, konstatoi se burimet e krijimit të kësaj pasurie janë kursimet, të ardhurat nga pagat dhe bursa në Shkollën e Magjistraturës, të ardhura nga dyqani si dhe dhuratë nga prindërit e bashkëshortit në masën 700 mijë lekë. Ajo nënvizoi se pasuria është krijuar para detyrës dhe po ashtu burimet e krijimit.

Për një depozitë, subjekti konstatoi se në ankim ngrihet pretendim për mosdeklarimin e burimit. Ajo tha se është e qartë nga verifikimi i akteve se një vlerë e depozituar në atë llogari nga vjehrri ka si burim një hua të marrë prej tij. Sipas subjektit, vjehrri nuk ka pasur llogari bankare dhe prandaj e ka depozituar tek ajo që dispononte i biri. Konstatimin se deklarimi i huasë është kryer vetëm gjatë hetimit administrativ, subjekti e konsideroi si një pasaktësi formale dhe jo të qëllimshme. Ajo vërejti se ka qenë deklarimi i parë si oficere e Policisë Gjyqësore në atë kohë. Po ashtu, theksoi se pasaktësia nuk shoqërohet me mungesë burimesh financiare.

Zavalani cilësoi në kundërshtim me faktet edhe konstatimin për deklarata kontradiktore të të ardhurave nga supermarketi. Po ashtu, vërejti se pasaktësitë e termave në deklarim janë formale e të paqëllimshme e nuk prekin, as origjinën e ligjshme të të ardhurave, si dhe as gjendjen faktike të aktivitetit e qirasë.

Ajo kundërshtoi konstatimin për përllogaritjen e gjysmës së të ardhurave nga qiraja, duke argumentuar se kontrata e qirasë është lidhur vetëm mes bashkëshortit dhe vëllait të tij. Sipas subjektit, megjithëse vjehrri jeton me djalin tjetër që ka marrë me qira objektin dhe është bashkëpronar në këtë pasuri, nuk ka përfituar nga qiramarrja. Ajo argumentoi se, në kushtet kur vjehrri jeton me djalin që ka marrë objektin me qira, nuk do të sillte efekt financiar, pasi bie ndesh me logjikën ekonomike të marrëdhënies.

Zavalani paraqiti para Kolegjit analizën e saj financiare, duke pretenduar se pamundësia që mbetet, në vlerë të vogël dhe e shpërndarë në vite, nuk mund të përbëjë shkak shkarkimi.

“Mendoj se jam e denjë të përfaqësoj figurën e prokurorit”, deklaroi Zavalani dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

Avokatja Romina Zano kundërshtoi kërkimet e drejtuesit të SPAK lidhur me cënimin e besimit të publikut, duke arsyetuar se duhej që ky pretendim të ishte paraqitur gjatë debatit gjyqësor dhe jo në bisedimet përfundimtare. “Ndryshe mbetet debat formal”, tha Zano.

Ajo shtoi se paraqitja e këtij kërkimi në diskutimet përfundimtare bën që të bjerë në dekadencë e nuk mund të qëndrojë, pasi duhej të ishte paraqitur më parë si shkak konkret ankimor. Po ashtu, Zano vërejti se nuk u dha asnjë argument nga ana e drejtuesit të SPAK lidhur me cënimin e besimit të publikut.

“Është një solidaritet i bashkëshortit me të vëllanë e tij dhe nuk ka ndonjë lidhje me cënimin e besimit të publikut”, tha Zano lidhur me konkluzionin e drejtuesit të SPAK për transaksionet e bashkëshortit të subjektit.

Trupi gjykues i KPA deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 24 tetor, në orën 09:30./ BIRN

Etiketa: Mirela ZavalanipasuriProkurorespak

Lajme të lidhura

AKTUALITET

“Madeira Club”/ Mashtrim 300 mln euro me kripto, bllokohen kompanitë hoteliere të spanjollëve në Shqipëri

13:21 : 18/10/2025
AKTUALITET

Hetimet për Portin e Limionit/ Qori: SPAK të marrë në pyetje Ramën, çdo vendim mban firmën e tij

21:58 : 17/10/2025
AKTUALITET

Hetimet për Portin e Limionit/ SPAK kontrolle vartësve të Ballukut dhe ish-drejtoreshës së Xhaçkës

21:23 : 17/10/2025
AKTUALITET

Konfirmimi i prokurorit Ylli Pjetërnikaj merr formë të prerë

13:59 : 17/10/2025
AKTUALITET

Konfirmimi i prokurorit Gentian Habazaj mbetet në fuqi

12:57 : 17/10/2025
AKTUALITET

Hetimet për Portin e Limionit/ Qyno: U dorëzua një video 5 orësh në SPAK, më pas u vendos për kontrollet

22:56 : 16/10/2025
Para

Projekti “Sfera” do zëvendësojë "Asllan Rusin", fitues doli miku i Ramës, Ilir Trebicka

TË GJITHA

Memaliaj/ 26-vjeçarja e paralizuar dergjet në shtrat, mjekët “vizitë” me WhatsApp, s’i japin kemp të plotë

14:24 : 18/10/2025

Kosova pranohet në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

14:10 : 18/10/2025

E rëndë në Itali/ 23-vjeçari shqiptar vritet me thikë në parkingun e universitetit

13:57 : 18/10/2025

“Topin nuk ka kush ta gjuajë”

13:46 : 18/10/2025

Minatorët e Spaçit akuzojnë kompaninë “TETE Albania” se po hakmerret me shkarkime nga puna

13:31 : 18/10/2025

“Madeira Club”/ Mashtrim 300 mln euro me kripto, bllokohen kompanitë hoteliere të spanjollëve në Shqipëri

13:21 : 18/10/2025

“Pashë motrën në makinën e tij”/ Si Arjon Hasaj futi në “kurth” Ramazan Matajn: Pagova një vajzë rome

13:06 : 18/10/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com