Cilësia e institucioneve dhe qeverisja ndikojnë ndjeshëm në efikasitetin e shpenzimeve publike. Vendet me institucione të forta, me nivele të ulëta korrupsioni dhe sundim më të mirë të ligjit arrijnë përgjithësisht rezultate më të mira në efikasitetin e shpenzimeve për investime publike, arsim dhe kërkim-shkencë.
Në studimin e fundit “Shpenzimet e zgjuara: Si ndikojnë shpenzimet publike në rritjen ekonomike”, Fondi Monetar Ndërkombëtar e klasifikoi Shqipërinë në kuartilin e poshtëm (25%) të vendeve për efektivitetin e shpërndarjes së burimeve. Kjo do të thotë se Shqipëria hyn në grupin më të dobët të vendeve në botë për menaxhim të shpenzimeve buxhetore. Në Ballkan, Kroacia renditet më mirë, duke u klasifikuar në kuartilin e sipërm për efikasitet të lartë.
Fondi vë në dukje se vendet që menaxhojnë mirë burimet buxhetore zakonisht kanë investime të larta në arsim dhe shkencë.
Për shembull, përmirësimi i kontrollit të korrupsionit nga një vend që është 30 pozicione nën mesataren në 30 pozicione mbi mesataren rrit efikasitetin e shpenzimeve për arsimin publik me rreth 3.5 pikë përqindje.
Sipas studimit, në aspektin e menaxhimit të investimeve publike, Shqipëria renditet në kuartilin e poshtëm të vendeve për efektivitetin e shpërndarjes së burimeve. Kjo tregon se përmirësimi i planifikimit dhe i sistemit të përzgjedhjes së projekteve publike në Shqipëri do të sillte përfitime të ndjeshme në përdorimin më produktiv të fondeve publike.
Dobësitë më të zakonshme në menaxhimin e investimeve publike përfshijnë vlerësimin e mangët të projekteve, mungesën e fondeve të mjaftueshme për mirëmbajtje dhe mungesën e monitorimit të pasurive publike.
Dokumenti i FMN-së thekson se përballë borxheve të larta dhe kërkesave të shtuara për shpenzime në mbrojtje, kujdes shëndetësor dhe zhvillim, qeveritë duhet të përmirësojnë cilësinë dhe përbërjen e shpenzimeve publike në vend që të rrisin volumin e tyre. Raporti analizon se si mund të arrihet rritje ekonomike përmes përdorimit më efikas të fondeve ekzistuese, pa rritur totalin e shpenzimeve.
Në nivel global, shpenzimet për investime publike kanë rënë në vetëm 18% të totalit të shpenzimeve, ndërsa arsimi zë rreth 11%. Ndërkohë, paga e sektorit publik përbën afërsisht një të katërtën e buxheteve. Kjo tregon një shpërndarje jo optimale që nuk nxit rritjen afatgjatë.
Pothuajse të gjitha ekonomitë kanë hendek të madh efikasiteti, që varion nga 31% në vendet e zhvilluara deri në 39% në vendet me të ardhura të ulëta. Në terma praktikë, kjo do të thotë se qeveritë mund të ofrojnë 30–40% më shumë shërbime me të njëjtën sasi parash nëse arrijnë standardet e vendeve më efikase. Humbjet më të mëdha janë në investime dhe kërkim-zhvillim (R&D)./ N.Maho, Monitor