Nga Sebi Alla
Rreth 45 për qind e të moshuarve që janë në Institucionet Rezidenciale shtetërore (Shtëpitë e të Moshuarve), shfaqin probleme të shëndetit mendor, por në këto qendra mungon një mjek pasikiatër, apo edhe medikamentet e nevojshme për sëmundjet mentale.
Në këtë përfundim arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi të bërë në gjashtë bashki të vendit në këto qendra për periudhat 2020, 2021 dhe 2022.
“Sa i përket vlerësimit të kujdesit shëndetësor dhe mjekimit të ofruar për të moshuarit rezident, disa nga problematikat e evidentuara janë: Mungesa e mjekëve specialistë (sipas problematikave dhe nevojave të të moshuarve) në IR (Shënim: Institucionet Rezidenciale); Mungesa e një mjeku psikiatër të angazhuar në IR, pavarësisht faktit se mesatarisht 45% e rezidentëve paraqesin probleme të shëndetit mendor”, thuhet në raportin e KLSH-së pas auditimit që ka kryer në, Tiranë, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Kavajë dhe Poliçan.
Shumë të moshuar, pak qendra
Aktualisht në të gjithë vendin janë vetëm 7 shtëpi të moshuarish dhe disa institucione të tjera rezidenciale që ofrojnë shërbim për pak persona, ndonëse nevoja është e madhe.
Profesor Gëzim Tushi, sociolog, në një reagim për Faktoje.al e konsideron problemin e trajtimit të të moshuarve si tepër shqetësuese dhe nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, si shtetërore ashtu edhe komunitare.
“Institucionet Rezidenciale nuk janë në nivelin e kërkuar. Të moshuarve shpesh nuk u ofrohet ekspertizë e duhur nga specialistë në diagnostikim dhe më pas trajtim. Në qendrat rezidenciale kemi përzierje diagnozash ku krahas sëmundjeve të tjera shumë të moshuar shfaqin probleme të sëmundjeve kronike si alzaimeri, demenca etj”, thotë Tushi.
Mbi çështjen e mungesës së specializuar të trajtimit të moshuarve që shfaqin edhe probleme të shëndetit mendor KLSH konstaton se nuk ofrohen qendra rezidenciale për trajtimin specifik të këtyre sëmundjeve.
“Këta të moshuar duhet të akomodohen në qendra rezidenciale për persona jo-autosuficientë dhe t’ju ofrohen shërbime social-shëndetësore në përputhje me nevojat e tyre. Aktualisht, sistemi i shërbimit social shtetëror nuk ofron qendra rezidenciale me këto specifika. Për rrjedhojë, pavarësisht problematikave shëndetësore të paraqitura kjo kategori të moshuarish akomodohet në të njëjtat ambiente me të moshuarit e tjerë në qendrat rezidenciale”, konstaton KLSH.
Gjithashtu alarmante është fakti se në të gjithë Shtëpitë e të Moshuarve nuk ka kontroll dhe ekzaminim të vazhdueshëm dhe konsulta mjekësore.
“Në Institucionet Rezidenciale për të Moshuar nuk zbatohet asnjë program, i cili parashikon ekzaminimin dhe kryerjen e vizitave apo konsultave periodike nga mjekë specialistë sipas nevojave të të moshuarve”, thotë KLSH.
Në analizim të raportit, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerrin si problematikë edhe një gjetje tjetër e cila lidhet me trajtimin dentar. “Asnjë nga Institucionet Rezidenciale për të Moshuar nuk është angazhuar në planifikimin periodik të vizitave dentare, me qëllim nxitjen e higjienës orale tek të moshuarit dhe vlerësimin e nevojave të tyre”, thuhet në raport.
Larg BE-së
Nga studimet e kryera, prof Gëzim Tushi thotë se në të gjithë vendin janë 191 mijë të moshuar të cilët shfaqin nevojën e kujdesit social, prej të cilëve 31 mijë janë të moshuar të vetmuar.
“Ata mund të kenë një banesë apo pension, por për arsye të ndryshme nuk kanë fëmijë ose të afërm që të kujdesen për ta”, tha Tushi. “Sipas mesatares së vendeve të BE-së për çdo 100 mijë banorë nevojitet një shtëpi të moshuarish, ndërsa në vendin tonë ky raport është mjaft i ulët. Tirana me rreth 1 milionë banorë ka vetëm një Shtëpi të Moshuarish”, thotë Tushi, ndërsa shton se duhet të ndryshojë ky raport, jo vetëm si objekte të ngritura në shërbim të të moshuarve, por si mundësi trajtimi.
“Një zgjidhje e mirë është ngritja e qendrave rezidenciale komunitare të hapura. Të moshuarit kanë nevojë jo vetëm për trajtim ushqimor, mjekësor apo shërbime të tjera, por edhe integrim të tyre me pjesën tjetër të shoqërisë”, sugjeron, prof Tushi.
Shërbimet
Por çfarë ofron vendi për moshën e tretë që shfaq nevojë për shërbim të domosdoshëm social? Sipas Tushit, aktualisht ofrohet shërbim për vetëm 300 të moshuar në Shtëpitë e të Moshuarve në të gjithë vendin, ndërsa sektori privat ofron shërbim për rreth 500 të moshuar.
“Gjithashtu ka edhe një kategori tjetër shërbimesh që janë rreth 1400 të moshuar në të gjithë vendin që marrin shërbim social si një vaft ushqim, për disa ditë në javë, apo shërbime të tjera të shpejta mjekësore si matje tensioni apo glicemie”, thotë Tushi, duke iu referuar kryesisht qendrave sociale të trajtimit të të moshuarve nga njësitë vendore.
“Diskriminim në pagesa”
Sipas Ligjit 121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, sistemi i shërbimeve të kujdesit shoqëror ofron shërbime falas ose kundrejt tarifave, sipas rasteve të përcaktuara në këtë ligj.
Por auditimi i KLSH-së thekson si çështje që duhet rregulluar nga institucionet përgjegjëse, kryesisht Shërbimi Social Shtetëror dhe Njësitë Vendore trajtimin e barabartë të të moshuarve. “Tarifa që paguan çdo i moshuar për jetesën në Institucionet Rezidenciale Publike është përcaktuar në masën 40% të pensionit të pleqërisë në muaj. Kjo tarifë e barabartë në shumën relative (40%) është diskriminuese sepse një pensionist që ka pensionin më të lartë paguan më shumë se një pensionist që ka pensionin minimal, ndërkohë që përfitojnë të njëjtin shërbim”, thotë KLSH.
Pa kushte
“Kushtet aktuale në rezidencat për të moshuar nuk plotësojnë nevojat e të moshuarve sipas standardeve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për të moshuarit që jetojnë në qendrat rezidenciale publike. SHSSH dhe njësitë vendore nuk kanë alokuar fonde për kryerjen e investimeve në infrastrukturë, ndërtesa, pajisje dhe orendi”, thotë KLSH.
Ky institucion konstaton se mungesa e investimeve për ndërtimin e kapaciteteve të reja akomoduese apo shtesa në ndërtesat ekzistuese të Institucioneve Rezidenciale Publike, ndikon në mos realizimin e objektivave të reformimit të sistemit të shërbimeve shoqërore sipas standardeve të shërbimeve të përkujdesit për të moshuarit në qendrat rezidenciale.
“Decentralizimi i shërbimit social duke i dhënë përparësi hartimit të politikave dhe trajtimit të të moshuarve nga qeverisja vendore nuk solli rezultatet e pritura. Bashkitë e kanë lënë trajtimin e të moshuarve në plane dytësore, duke mos i dhënë rëndësi nevojës së madhe”, tha prof Tushi./Faktoje.al