Nga Ilir Kalemaj
Nëse ka një tipar identifikues të epokës që po jetojmë, kjo është paqëndrueshmëria. Dje në një deklaratë shokuese presidenti Trump duke i’u referuar veprimit të fundit të Kinës për të imponuar kontrolle eksporti mbi çdo produkt që ata prodhojnë madje në disa raste edhe ato të prodhuara në vende simotra, duke kërcënuar kësisoj tregtinë botërore, deklaroi vendosjen e një tarife shtesë prej 100 % mbi mallrat dhe shërbimet kineze, duke filluar nga 1 nëntori.
Në fakt Kina vijon të vet-përshkruhet dhe të njihet madje dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si vend në zhvillim bazuar në PBB-në për frymë, ndërkohë që është superfuqia e dytë më e madhe në botë dhe fuqia kryesore eksportuese, një paradoks ky që e ka favorizuar njëanshëm deri tani në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Si rezultat i këtyre zhvillimeve të fundit tregjet parashikohen të kenë luhatje të mëdha, duke filluar nga e hëna. Ndonëse këto zhvillime mund të jenë afatshkurtra në varësi të dinamikës së marrëdhënieve SHBA-Kinë në të ardhmen e afërt, të tjera ngjarje me sfond gjeopolitik, gjeoekonomik apo gjeoenergjetik pritet të shkaktojnë furtuna jo të vogla përgjatë vitit të ardhshëm.
Disa nga zhvillimet politike, rivalitetet gjeopolitike dhe armëpushime të brishta janë duke u zhvilluar qysh tani. Duke filluar nga këto të fundit, plani i paqes i presidentit Trump për Lindjen e Mesme dhe specifikisht për Gazën, i pranuar deri tani si nga qeveria e Netanjahut edhe Hamasi me ndërmjetësimin amerikan, turk, egjiptian dhe katarez, është lajmi më i mirë që megjithë pasiguritë që e rrethojnë, jep shpresë për një zgjidhje aftagjatë të konfliktit.
Rikthimi i palestinezëve në Gaza njëkohësisht me lirimin e pengjeve izraelitë që ende mbaheshin nga Hamasi, bashkë me lirimet nga burgu të aktivistëve palestinezë, rikthimin e kontrollit civil mbi Gazën, dhe vendosjen e parametrave të sigurisë të mbështetur ndërkombëtarisht, japin shpresë për një rindërtim të shpejtë bazuar në masat e garancisë ndërkombëtare.
Në Amerikën Latine, siç raporton së fundmi New York Times po ndodh ndërkohë kapitullimi pa kushte i Maduros falë presionit strategjik të Shteteve të Bashkuara që e kanë etiketuar regjimin e tij si narko-shtet përgjegjës kryesor për trafikun e drogës duke i mbytur anijet që kontrabandojnë drogë në Karaibet e Jugut dhe duke dërguar disa luftanije për t’i bërë një rrethim strategjik regjimit të Karakasit. Kjo ka sjellë një kthesë 180 gradëshe nga Maduro që po i ofron SHBA-ve njëanshmërisht rezervat e naftës të Venezuelës që është vendi më i pasur naftëmbajtës i botës me kushtin e pashprehur që të vijojë të qëndrojë në pushtet, madje duke ofruar gjithashtu dhe shkëputjen e lidhjeve tregtare dhe ekonomike me Kinën si bonus për të përfituar indiferencën e amerikanëve ndaj regjimit të tij. Është ende herët të parashikohet a do i sigurojë kjo strategji mbijetesën politike në të ardhmen e afërt apo do të ketë fundin e sivllaut panamez, Noriegës që në 1990-ën u kap dhe ekstradua në SHBA nga amerikanët.
Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë të komplikuara dhe për një analizë më të thellë duhen marrë parasysh disa variabla që në mënyrë shterruese do të kërkonin një shkrim tjetër por mjaft të përmendim shkurt disa prej tyre. Së pari, marrëdhënia e tyre është në sfond të marrëdhënieve SHBA-Kinë dhe Kinë-Rusi dhe nuk mund të merret kurrsesi e ndarë. Nëse do të kemi një ‘Reverse Kissinger’ të asaj që ndodhi mes SHBA dhe Kinës përgjatë presidencës së Nixon apo një forcim të boshtit kryesor të BRICS kjo ngelet për t’u parë por në çdo rast Federata Ruse nuk është vetëm një aktor pasiv në lojë. Aq më tepër nëse konsiderojmë se Traktati i Ri START, një marrëveshje e rëndësishme për kontrollin e armëve midis SHBA-së dhe Rusisë, është planifikuar të skadojë në shkurt të 2026-ës dhe bëhet fjalë për dy superfuqitëkryesore nukleare dhe ushtarake në botë. Së treti, elefanti në dhomë apo marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë ku armëpushimi duket se është i përjashtuar nga opsionet ndërsa arritja e një marrëveshje përfundimtare paqeje është edhe më e vështirë për t’u arritur se ajo Izrael-Hamas.
Në pikëpamje makro, ardhja me shpejtësi e revolucionit të pestë industrial apo ekonomisë 5.0 ofron sa mundësi të shumta, aq edhe rrisqe të paparashikuara. Premtimet për zhvillime të jashtëzakonshme në bioteknologji, inteligjenca arificiale në shëndetësi duke revolucionarizuar diagnozën dhe kurimin e sëmundjeve deri tani të pashërueshme, pikëtakohen me rrezikun e humbjes së qindra milionë vende të punës dhe rritjen e kontrollit dhe mbikëqyrjes nga regjimet autoritare të popullatave të tyre. Ndërsa këto janë disa trende afatgjata, ndërkohë etno-nacionalizmi po rritet, me vendet që kërkojnë kontroll më të madh mbi infrastrukturën dixhitale, të dhënat dhe sistemet e Inteligjencës Artificiale, duke çuar në një peizazh dixhital të fragmentuar për bizneset globale dhe duke rrezikuar në veçanti sipërmarrjet e vogla apo shtetet që nuk kanë avantazhe krahasimore në tregjet globale.
Gjeoenergjetika me fokus në korridoret detare, ndërtimin e infrastrukturës së porteve, kontrollin e rajoneve si Arktiku ku së fundmi SHBA bëri një marrëveshje me Finlandën për ndërtimin e 12 akullthyesve për llogari të SHBA-ve duke e kthyer këtë të fundit në aktorin kryesor të kontrollit në këtë rajon jetik për kostot e transportit por edhe mineralet e rralla, është një element tjetër shpesh periferik ndër lajmet për konsum të gjerë, por me rëndësi strategjike për shumëçka, nga çmimet fundore të konsumatorëve te fatet e korporatave. Njëjtë do të jetë beteja për burimet ku revolucioni i inteligjencës artificiale kërkon përherë e më shumë rezerva energjetike dhe ujore, duke vendosur në garë të ethshme superfuqitë botërore për kontrollin e tyre.