SPAK po kryen ditën e sotme një operacion, ku ka zbardhur rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen pa gjurmë të të riut, Klevis Lleshi, 21 vjeç, nga fshati Rukaj i Burrelit, në gusht të vitit 2020.
Nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, ka rezultuar se urdhëruesi i kësaj vrasje është Aurel Hoxha, pronari i lokalit “Monopol” në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë. Ndërkohë, 3 të tjerë rezultojnë në rolin e bashkëpunëtorëve. Deri më tani, vetëm njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.
Dyshohet se Aurel Hoxha ka urdhëruar rrëmbimin, vrasjen dhe më pas zhdukjen e trupit të Klevis Lleshit për motive hakmarrje për vrasjen dhe më pas djegien e trupit të vëllait të tij Agim Hoxhës në vitin 2012 në Britaninë e Madhe.
Pas vrasjes së Agim Hoxhës, janë disa anëtarë të familjes Lleshi që janë ekzekutuar për hakmarrje. Më konkretisht, në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit, të iu bë pritë në vendin e quajtur “Pujkë”. Ndërkohë, tre vite më vonë, në 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit dhe xhaxhai i Klevis Lleshit, në fshatin e lindjes në Burrel.
Por, hakmarrja nuk do të ndalej me kaq. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të.
Ndërkohë, në gusht të vitit 2020, u rrëmbye, u vra dhe iu zhduk trupi Klevis Lleshit, i cili ende nuk kishte mbushur 22 vjeç, pasi burrat e familjes Lleshi ishin shuar një nga një, si babai, xhaxhai dhed djali i xhaxhait.
E duket se “ekzekutimi final” do të vinte në burgun e sigurisë së lartë në Peqin mesditën e 15 dhjetorit të vitit 2023. I dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj ekzekutoi në qeli Arben Lleshi, i dënuar me burgim si autor i vrasjes dhe më pas djegies së trupit të Agim Hoxhës në Britani. Në atë ngjarje mbeti i plagosur dhe Indrit Shaqja.
Sokol Mjacaj dyshohet se armën e zjarrit pistoletë të përdorur në krim e kishte futur në burg disa javë përpara ngjarjes. Vrasja ndodhi në një kohë kur në media u publikua lajmi se Sokol Mjacaj do të futej në regjimin “41 Biss”.
Në dëshminë e dhënë për grupin hetimor, Sokol Mjacaj deklaroi se kishte një konflikt me Arben Lleshin, por Prokuroria e konsideron këtë vetëm një alibi, duke e parë si një vrasje me pagesë. Ai nuk ka qenë shumë bashkëpunues me drejtësinë, teksa edhe vrasja e Arben Lleshit dyshohet se është porositur nga familja Hoxha.
Vrasja e Agim Hoxhës, që solli më pas edhe sagën e hakmarrjes, dyshohet se ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës në Britani. Ai u gjet i shkrumbuar në makinën e tij.
Ekspertiza tregoi se 29-vjeçari ishte vrarë në një tjetër vend, më pas ishte vendosur në makinën e tij dhe i ishte vënë flaka për të zhdukur trupin. Ai jetonte dhe punonte prej vitesh në Londër bashkë me Arben Lleshin, një miqësi e kultivuar që në vendlindje, por që u prish më vonë.
Mediat britanike shkruanin në atë kohë se dyshja kishin pasur konflikte për pazaret e drogës në të cilët ishin përfshirë dhe aktivizuar në Londër. Autoritetet britanike vunë në pranga Arben dhe Afrim Lleshin. Ky i dyti u akuzua për çorientim të autoriteteve pasi deklaronte se në kohën që ishte vrarë Agimi, Arbeni ndodhej me të. Por presioni bëri që Arben Lleshaj të pranonte krimin e kryer, megjithëse refuzoi ta kishte djegur trupin brenda në makinë.