Agjencia e njohur ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull zhvillimeve që ndodhën sot në seancën plenare, ku mazhoranca kaloi pa debat programin 4 vjeçar të qeverisë.
Reuters shkruan se imazhi i Shqipërisë është dëmtuar nga skandalet e korrupsionit dhe vendi është një qendër për bandat që kërkojnë të pastrojnë para nga trafiku i drogës dhe armëve.
Më tej Reuters shkruan se Rama mori 82 vota në parlamentin shqiptar dhe se partia e tij siguroi shumicën për herë të katërt radhazi në zgjedhjet e muajit maj.
Ndër të tjera në artikullin e Reuters përmendet edhe Diella. Sipas Reuters Rama javën e kaluar emëroi një robot të gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të menaxhuar dhe dhënë tendera publikë kompanive private për të adresuar shqetësimet për korrupsion.
Artikulli i Plotë:
Parlamenti i Shqipërisë konfirmoi të enjten një mandat të katërt katërvjeçar për kryeministrin Edi Rama, i cili u zotua se do ta bënte misionin e tij që vendi ballkanik të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Rama, i cili ishte kandidati i vetëm për kryeministër, mori 82 vota në parlamentin me 140 vende. Partia e tij Socialiste fitoi shumicën për herë të katërt në zgjedhjet e majit.
“Shqipëria 2030 në BE është pjesa qendrore e këtij mandati. Shqipëria Europiane është busulla udhërrëfyese për çdo aspekt të programit tonë dhe metronomi për ritmin e çdo reforme që do të ndërmarrim,” u tha Rama ligjvënësve.
Imazhi i Shqipërisë është dëmtuar nga skandalet e korrupsionit dhe analistët politikë thonë se vendi është një qendër për bandat që kërkojnë të pastrojnë para nga trafiku i drogës dhe armëve, duke i komplikuar përpjekjet e saj për t’u bashkuar me BE-në deri në objektivin e saj të vitit 2030.
Në një veprim të papritur, Rama javën e kaluar emëroi një robot të gjeneruar nga inteligjenca artificiale të quajtur Diella (Dielli) për të menaxhuar dhe dhënë tendera publikë kompanive private për të adresuar shqetësimet për korrupsion.
“Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata”, tha Diella gjatë një fjalimi në video përpara se të votohej qeveria e re.
Emërimi u kritikua nga opozita si jokushtetues pasi roboti nuk është njeri, nuk ka kombësi shqiptare dhe mund të çojë në më shumë korrupsion.
“Është e vërtetë, unë nuk kam asnjë shtetësi, as nuk kam ndonjë ambicie apo interes personal.”
Politikanët e opozitës kritikuan gjithashtu Ramën për mungesën e debatit përpara votimit për qeverinë e re.
“Ky mandat bazohet në krim, në korrupsion, në drogë dhe në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, tha Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë. /Reuters