Sot është mbledhur Asambleja e Përgjithshme e Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama dhe njëherazi kreu i PS do të prezantojë Qeverinë e re për mandatin e tij të katërt në drejtimin e vendit.
Fjalimin e tij e nisi me Tiranën, e cila prej 7 muajsh kryetarin Erion Veliaj e ka në qeli.
“Do na duhet të adresojmë këtu edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, ama duhet të them që në fillim sa më qartë atë që besoj e ndajmë të gjithë së bashku.. nuk kemi pasur dhe nuk do kemi asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësinë me reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësor.”- tha Rama.
Menjëherë pas kësaj, ai ka njoftuar shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt.
“Sot, duhet të marrim vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri në Tiranë. Duhet vënë në lëvizje mekanizmi ligjor për shkarkimin e kryetarit në detyrë”- tha ai.
Rama njoftoi shpalljen e kandidates për kryetare të Bashkisë së Tiranës, ajo do të jetë Ogerta Manastirliu, e cila sipas tij nuk dinte asgjë për këtë.
“E di që nuk do ma falësh kollaj në një kohë më të gjatë mbase kësaj here këtë bombë të palajmëruar. Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën. PS nuk ka më as si pret as ça pret për ta rivënë lokomotivën në lëvizje. Duhet të më besosh ti dhe të më besojnë të gjithë, nuk kemi ku dhe si e kërkojmë një profil dhe person më të përshtatshëm për t’i kërkuar popullit të Tiranës mbështetjen e tij dhe për ti dhënë lokomotivës së Shqipërisë shpejtësinë e saj më të madhe.
Kështu që është radha jote e nderuar dhe e dashur Ogerta ta udhëheqësh Tiranën me ambicien qetësinë që ta ka karakterizuar në të gjitha detyra sfiduese ku ke spikatur gjerë tani. Ndërsa detyra jonë është të mbështesim fillimisht duke u vënë në rresh pas teje për të marrë votëbesimin e mëritura nga komuniteti i madh i kryeqytetit për kandidaturën bindëse të PS.”- tha Rama.

- Kabineti i ri qeveritar:
Kryeministër: Edi Rama
Kryetar i Kuvendit: Niko Peleshi
Zv.Kryetare e Kuvendit: Kloadiana Spahiu
Drejtimi i Grupit Parlamentar të PS: Taulant Balla, i cili aktualisht mban postin si ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Zëvendëskryeministër: Belinda Balluku
Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: Belinda Balluku
Ministër i Brendshëm: Albana Koçiu
Ministria për Evropën dhe Punën e Jashtme: Elisa Spiropali
Ministria e Financave: Petrit Malaj
Ministria e Mjedisit: Sofjan Jaupaj
Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit: Blendi Gonxhja
Ministria e Arsimit dhe Sportit: Mirela Kumbaro
Ministria e Shëndetësisë: Evis Sala
Ministria e Arsimit: Mirela Kumbaro
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit: Delina Ibrahimaj
Ministria e Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike: Diella ( e krijuar me inteligjencë artificiale)
Ministria e Drejtësisë: Besfort Lamallari
Ministria e Mbrojtjes: Pirro Vengu
Ministria e Bujqësisë: Andis Salla
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor: Ervin Dema
Ministre e Shtetit: Majlinda Dhuka
Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin: Toni Gogu
- Kritika GJKKO dhe SPAK
Rama nuk i kurseu kritikat për sistemit e drejtëisë, përfshirë dhe SPAK-un e GJKKO-n. Për këtë të fundit tha se ka mbetur mashë e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për organin e akuzës shprehu revoltimin për mënyrën e trajtimit dhe hetimit të rasteve të ndryshme.
“Nuk jemi lëkundur në këtë rrugë, nuk do të lëkundemi as sot, pavarësisht fakteve që, përveç arritjeve të padiskutueshme, pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera herës shenja të sëmundjes së vjetër. Pushteti i ri i drejtësisë mban ende në radhët e veta, lart e poshtë, nëpër Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë, dritshkurtër, mendjengushtë e me mungesë integriteti, që e bëjnë të bardhën të zezë, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë. Rastet e fundit, kur disa prokurorë dhe gjyqtarë i kanë rënë ndesh ligjit duke mbajtur krahun e zbatuesve të tij.
E vërteta e madhe është se nuk përjashtim as SPAKU, krenaria e vetme e reformës në drejtësi, as Gjykata Speciale që nuk po del nga hija e SPAK-ut. Edhe këto institucione kanë na dhënë arsye dhe për t’u habitur dhe shqetësuar shumë seriozisht, mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave në liri, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve për paracaktruar në pazare fatin e personave të hetuar”- tha Rama ndër të tjera.
- Rama e pranon: Drejtësia, ende larg asaj që i duhet Shqipërisë për në BE
Rama deklaroi se është i vetëdijshëm që drejtësia që kemi është ende larg asaj që i duhet vendit për në BE.
Më tej ai tha se asnjë ndryshim në legjislacion për përmirësimin e drejtësisë, nuk do të bëhet pa marrë miratimin e KE-së.
“Këto janë shenjat e dhimbme të sëmundjes të trashëguara në trupin prej fëmije të drejtësisë së re. Kostoja njerëzore e kurimit të tyre është e lartë. Në radhë të parë për këdo që i bjer për hise të jetë një kavje eksperimentale e procesit të pavarësisë, më pas edhe për ne që kemi hisen të qëndrojmë pa zë apo të flasim duke qëndruar larg dhe me duart pas edhe kur ato sëmundje godasin befasisht, vrazësisht jetë dhe dinjitetin njerëzor. Por, kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme nuk është për këtë punë dhe nuk duhet të merret me politikë. Ka të drejtën të ketë qasje tjetër, por jo në radhët e udhëheqësve të PS. Bebja nuk hidhet poshtë bashkë me ujin e pistë thotë një fjalë e mencur e fqinjëve tanë matanë Adriatikut, dhe në këtë rast duhet durim heroik, dhe kujdes prej okulisti që uji i pistë të pastrohet ngadalë dhe nga vetë institucionet e vetë qeverisjes së gjyqësorit në radhë të parë se pastrimi i atij uji të pistë është pjesë e misionit të tyre publik e ligjor. Pjesë e jona është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja, por ka edhe një por tjetër, sepse asnjë ndryshim nnë legjislacionin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket këtu për ne, nuk ka për të ndodhur me votat tona pa marrë dritën jeshile nga KE. Jam i vetëdijshëm se kjo që kemi është ende larg nga drejtësia që i duhet Shqipërisë 2030 në BE. Dhe që meritojnë njerëzit e këtij vendi të sakatuar në shekuj nga padrejtësia por nuk duhet të kemi asnjë iluzion dhe askush në këtë sallë asnjë iluzion se nuk ka asnjë rrugë tjetër përvec asaj të durimit dhe vendoshmërisë shtetbërëse, të gjitha rrugat e tjerë të nxjerin pas te gropa e vjetër thithëse e historisë”, u shpreh Rama.
- 3 objektivat për 4 vitet e ardhshme
Rama tha se programi qeverisës është i qartë dhe konkret dhe se tre detyrat madhore kanë të bëjnë me:
1. Mbylljen e negociatave në 27 muajt e ardhshëm,
2. Të mundësojnë deri në fund të mandatit ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare,
3. Të ngrenë deri në fund të dekadës flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në Bruksel.
“Programi ri qeverisë nuk ka qenë kurrë më i qartë dhe konkret. Misioni i bashkimit më B nuk ka qenë kurrë më konkret dhe i pasqyruar në program se sot. Detyra jonë si mazhorancë nuk ka qenë kurrë më e qartë se në këtë mandat të 4 të PS për Shqipërinë 2030. Të mbyllim negociatat në 27 muajt e ardhshëm, të mundësojmë deri në fund të mandatit ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare, të ngremë deri në fund të dekadës flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në Bruksel Këto nuk janë 3 stacione, por 3 majat që duhen kapur njëra pas tjetrës në kohë për të realizuar ngjitjen e nisur kahhershëm të Shqipërisë për në shtëpinë e familjes së saj, të fatit të shkruar të së ardhmes së saj. Kapja e tyre nuk është as e shkruan nga fati apo Zoti, ndodh nga puna durimi e vendosmëria i 400 e kusur njerëzve që janë sot në këtë sallë. Yjet e fatit janë rreshtuar si kurrë asnjëherë në favorin e Shqipërisë.”- tha Edi Rama.
- Cilat janë 5 riorganizimet që kërkoi Rama në Asamblenë e PS
Rama ka kërkuar që në 4 vitet e ardhshme për Shqipërinë 2030, të ketë riorganizim dhe reformim të disa institucioneve, përfshirë dhe Kuvendin.
Rama ka propozuar një ndryshim në Kushtetutë që parashikon uljen e numrit të deputetëve në Kuvend nga niveli aktual në 101. Sipas Ramës, pas 10 legjislaturash dhe zgjedhjes së 1,136 deputetëve, numri aktual i përfaqësuesve konsiderohet i tepruar dhe ndryshimi do të sjellë përfitime në disa aspekte të funksionimit të Kuvendit.
“Na duhet një cikël i ri reformimi për disa institucione të rëndësishme, ndër të cilat edhe Kuvendi. Pas 10 legjislaturash dhe 1136 njerëzve të zgjedhur deputetë, e para gjë si rrallë gjë që bie dakord çdo shqiptar, është tepria e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 deputetë do të kishte vetëm impakt pozitiv në më shumë se një aspekt. Prandaj ky ndryshim pozitiv duhet të jetë objektiv i yni, përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë, edhe të atyre që e çuan votën në drejtime të tjera.”– tha Rama.
Një tjetër çështje është ligji për Kuvendin.
“Së dyti, kuvendi miraton e nxjerr ligje për të gjithë, por nuk ka ende ligjin e vetë, nuk ka pavarësinë e vetë financiare, nuk ka status të deputetëve të vetë, dhe madje kuvendi është pa shtëpi”.
Gjithashtu, Kryeministri Rama kërkoi rishikimin e ndarjes administrative territoriale.
“Së treti, koha ka sjellë në rendin e ditës nevojën e një rishikimi të ndarjes administrative territoriale. Prandaj duhet të ngremë komisionin për të nisur nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme duke reflektuar ndryshimet domethënëse të këtyre viteve me fokus kryesor mirëpërgatitjen në nivelin vendor për Shqipërinë 2030 në BE. Duhet të kemi një cilësi të re të qeverisjes së vendore, komisioni i kësaj reforme duhet të punojë si komisionet e përhershme duke filluar nga organizimi dhe konsultimi i gjerë publik, duke ftuar dhe forcat e tjera parlamentare për të dhënë kontributin e tyre”.
Së katërti, Rama përmendi nevojë për të bërë Reformën Zgjedhore, duke ftuar në këtë proces edhe opozitën, por siç tha ai, pa penguar punën.
“Ne do të jemi gjithmonë gati t’i dëgjojmë të gjithë në respekt të atyre që i kanë zgjedhur, por nuk do të presim asnjë minutë ata që nuk do të punojnë së bashku në këtë reformë, apo asnjë reformë. Ka ardhur koha për depolitizim të administratës zgjedhore. Qoftë për komisionet qendrore zgjedhore, qoftë për vonesën në rezultatin zgjedhor, jemi specie unikale në botë”.
Një tjetër pikë është harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore.
“Një tjetër nevojë thelbësore që duhet adresuar pa humbur kohë është harmonizimi i ligjit të komisionit hetimor me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.
- Komisionet parlamentare/ Ja kë do të drejtojnë shumica dhe opozita
Kryeministri Edi Rama njoftoi 11 komisionet e përhershme të kuvendit të ri. Në përbërje do të ketë më pak anëtarë, tha kreu i qeverisë. 7 prej tyre do të drejtohen nga maxhoranca dhe 4 nga opozita.
1. Komisioni për Ekonominë, punësimin dhe financat ( Shumica )
2. Komisioni për Çështjet ligjore dhe Administratën publike ( Shumica )
3. Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ( Shumica )
4. Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet ( Opozita )
5. Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale ( opozita )
6. Komisioni për Burimet Natyrore, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ( Shumica )
7. Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ( opozita )
8. Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural ( Shumica )
9. Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ( opozita )
10. Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ( shumica )
11. Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale ( shumica )