Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vendos teknologjinë më policeske për përgjimin e komunikimeve në Shqipëri.
Në një deklaratë nga selia blu, Berisha tha se me vendimin për bllokimin e TikTok-ut, qeveria ka futur një sistem që regjistron çdo formë komunikimi, duke e cilësuar atë një rrezik të drejtpërdrejtë për liritë individuale.
Sipas tij, ky operacion është kryer përmes AKEP-it dhe ish-drejtoreshës Vlora Hyseni, ndërsa shtoi se tashmë qeveria po plotëson bazën ligjore për përdorimin e këtij sistemi kundër qytetarëve dhe gazetarëve.
“Së dyti, unë do të paralajmëroj shqiptarët se tek Edi Rama janë zgjuar dhe ulërijnë demonët e etërve të tij xhelatë. Ai po punon ditë e natë për ndërtimin e shtetit më policesk të planetit.
Dhe ai nuk po e fsheh këtë më, po tregohen të verbër dhe konformistë njerëzit ndaj tij, kurse ai publikisht ai kur vendosi bllokimin e TikTokut, vendosi të gjithë teknologjinë e regjistrimit të përgjithshëm të çdo lloj komunikimi në Shqipëri, teknologji të cilën nuk e ka vendosur asnjë vend tjetër, sepse ajo është teknologjia më policeske, me të cilën kontrollohet totalisht privacia e çdo qytetari, shqiptar apo të huaj.
Ky operacion është kryer nëpërmjet AKEP-it dhe famozes Vlora Hyseni.
Ky operacion është një akt policesk i shëmtuar, por tani dora-dorës me Uluziun dhe eksponentin mafioz të Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, një nga përfaqësuesit më të shëmtuar të mafies së Sigurimit të Shtetit shqiptar, po kompleton kodin në mënyrë që ta përdorë informacionin për të ndëshkuar qytetarët dhe gazetarët”, deklaroi Berisha.














