Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se së shpejti do të shpallë vendin ku do të zhvillohet takimi me presidentin rus Vladimir Putin.
“Takimi mund të ishte zhvilluar edhe më herët, por, për fat të keq, ka pasur masa sigurie që duhej të merreshin parasysh. Përndryshe, do ta kisha realizuar shumë më herët,” tha Trump.
Ai tha se një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë do të përfshijë “shkëmbim territoresh”, që sipas tij do të jetë në të mirë të të dyja palëve.
“Po flasim për një territor që është bërë shkak për luftë prej më shumë se tre vitesh e gjysmë. Shumë rusë kanë humbur jetën, shumë ukrainas gjithashtu. Po shohim mundësinë për të rikthyer disa territore dhe për të bërë disa shkëmbime”, deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Ai shtoi se procesi është “i ndërlikuar” dhe se “asgjë nuk është e lehtë”, por shprehu besimin se do të arrihet një marrëveshje që përfshin kthime dhe shkëmbime territoresh, “në dobi të të dyja palëve”.
Në të njëjtën deklaratë, Trump bëri të ditur se do të takohet “së shpejti” me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje për Ukrainën.
“Presidenti Putin dëshiron të takohet sa më parë, dhe unë pajtohem me të. Do ta shpallim shumë shpejt,” u shpreh Trump. Ai shtoi se takimi është shtyrë për shkak të disa çështjeve të sigurisë.
I pyetur për vendndodhjen e mundshme të takimit, Trump nuk dha detaje, por tha se do të jetë “një vend që do t’i kënaqë shumë njerëz”.














