Kryeministri i Kinës, Li Qiang, ka propozuar ngritjen e një organizate ndërkombëtare për të nxitur bashkëpunimin global në fushën e Inteligjencës Artificiale (AI). Deklarata u bë gjatë hapjes së Konferencës Botërore për Inteligjencën Artificiale që po zhvillohet në Shangai.
Duke e cilësuar AI-në si një “motor të ri për rritje ekonomike”, Li theksoi se qeverisja globale në këtë fushë është ende e fragmentuar dhe se vendet kanë dallime të mëdha sa i përket qasjeve rregullatore. Ai u bëri thirrje vendeve të punojnë së bashku për krijimin e një kuadri të përbashkët dhe të pranueshëm ndërkombëtarisht për rregullimin e teknologjisë së AI-së.
Konferenca treditore në Shangai po mbahet në një kohë tensioni të shtuar teknologjik mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, me Inteligjencën Artificiale që është kthyer në një nga fushëbetejat kryesore mes dy superfuqive ekonomike.
SHBA-të kanë vendosur kufizime për eksportin e teknologjive të avancuara drejt Kinës, përfshirë çipat më të sofistikuar të AI-së, duke ngritur shqetësime se ato mund të përdoren për qëllime ushtarake. Megjithatë, Kina ka vazhduar të bëjë përparime të mëdha në këtë fushë, pavarësisht kufizimeve.
Në fjalën e tij, Li paralajmëroi se AI-ja mund të shndërrohet në një “lojë të mbyllur” për një numër të vogël vendesh dhe kompanish, duke përmendur edhe sfida si mungesa e çipave dhe kufizimet në shkëmbimin e talenteve.
Në të njëjtën kohë, Kina publikoi një plan veprimi për qeverisjen globale të AI-së, duke ftuar qeveritë, organizatat ndërkombëtare, kompanitë dhe institutet kërkimore që të bashkëpunojnë përmes komuniteteve open-source dhe shkëmbimeve ndërkufitare.
Konferenca në Shangai mbledh çdo vit liderë të industrisë, studiues dhe zyrtarë qeveritarë. Këtë vit, në mesin e folësve ishin Anne Bouverot, e dërguara speciale e presidentit francez për AI, Geoffrey Hinton – i njohur si “babai i AI-së”, dhe ish-shefi ekzekutiv i Google, Eric Schmidt. Më shumë se 800 kompani janë të pranishme me rreth 3 mijë produkte teknologjike, përfshirë modele të mëdha gjuhësore, robotë inteligjentë dhe pajisje të bazuara në AI.
Ndërsa Elon Musk, i cili më parë ka marrë pjesë rregullisht në konferencë, këtë vit mungoi në hapje.