Partia Demokratike ka reaguar ashpër për situatën alarmante në të cilën ndodhet sistemi sportiv shqiptar, duke akuzuar pushtetin se po ushtron kontroll të plotë politik mbi institucionet sportive.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, e cilësoi gjendjen si pasojë të një klime politike të centralizuar, ku ligji dhe institucionet ndërkombëtare shpërfillen nga autoritetet vendimmarrëse.
Në qendër të akuzave qëndron Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili, sipas PD-së, është zhytur në një krizë të thellë legjitimiteti dhe integriteti, nën drejtimin e Fidel Yllit – ish-deputet i PS dhe aktualisht kryetar i Komitetit. Vangjeli theksoi se Ylli vazhdon të qëndrojë në detyrë edhe pse është rrëzuar nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, vendim ky që u injorua nga Gjykata e Apelit në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Më tej, ajo denoncoi edhe pezullimin e marrëdhënieve juridike të Federatës Shqiptare të Futbollit me KOKSH, si një tjetër tregues i krizës institucionale që po thellohet. Një tjetër shqetësim i ngritur nga PD është miratimi i ndryshimeve të shpejta në ligjin “Për Sportin” nga Parlamenti, me propozim të vetë Fidel Yllit, duke i dhënë Komitetit një rol të ri në organizimin e aktiviteteve jashtë orarit mësimor – gjë që, sipas opozitës, cënon kompetencat e federatave dhe rrezikon keqpërdorimin e fondeve publike.
Deklarata evidenton gjithashtu dyshime të forta mbi mënyrën e zhvillimit të tenderave dhe prokurimeve nga KOKSH, ku sipas PD-së, mungon konkurrenca reale dhe fitues janë të njëjtët operatorë, përfshirë tenderin për veshje sportive në vitet 2022 dhe 2023, me vlera përkatëse prej mbi 1 milion dhe 4.7 milionë euro.
Një tjetër rast i denoncuar lidhet me përfshirjen e një punonjëseje të biznesit privat të Fidel Yllit si shefe e misionit të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, duke shtuar akuzat për konflikt interesi dhe menaxhim të dyshimtë të interesit publik.
“Duket se Fidel Ylli gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama,” – tha Vangjeli, duke përmbyllur deklaratën me thirrjen se sporti shqiptar ka nevojë për pavarësi, drejtësi dhe integritet, ndërsa theksoi se “heshtja nuk është më një opsion.”
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit PD, Genta Vangjeli:
Nën një klimë politike që pasqyron frymën e centralizuar të një partie-shtet, ku autoritetet vendimmarrëse anashkalojnë ligjet , konventat dhe gjykatat ndërkombëtare, sistemi sportiv shqiptar është vendosur përballë një tjetër rasti alarmant abuzimi dhe ndërhyrjeje politike.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili duhet të ishte një strukturë autonome dhe e depolitizuar, po përballet me një krizë të thellë legjitimiteti dhe integriteti.
Drejtuesi aktual i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), z. Fidel Ylli, vazhdon të mbajë detyrën pavarësisht vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, e cila është rrëzuar në mënyrë të paprecedentë nga Gjykata e Apelit në Shqipëri – një vendim që ngre shqetësime të thella për integritetin e sistemit gjyqësor dhe për respektimin e standardeve ndërkombëtare në sport.
Së fundmi, edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pezulluar të gjitha marrëdhëniet juridike me KOKSH (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar) duke thelluar më tej krizën institucionale.
Në një akt që përforcon kontrollin politik mbi sportin, Parlamenti miratoi me nxitim ndryshime në ligjin ‘Për Sportin’, të propozuara nga vetë kreu aktual i KOKSH.
Ky ndryshim i jep Komitetit një rol të ri dhe të diskutueshëm në organizimin e aktiviteteve jashtë orarit mësimor, duke cënuar kompetencat e federatave dhe duke vënë në pikëpyetje transparencën e përdorimit të fondeve publike.
Po aq shqetësuese janë edhe të dhënat mbi mënyrën e zhvillimit të tenderave dhe prokurimeve nga KOKSH, ku mungesa e konkurrencës dhe përsëritja e të njëjtëve operatorë fitues në tenderë me vlera të mëdha, hedh hije dyshimi mbi procesin.
Përmendim konkretisht tenderin për veshje sportive në vitin 2022 me vlerë mbi 1 milion euro dhe tenderin e vitit 2023 me të njëjtin objekt, me fond prej 4.7 milionë eurosh, si dhe prokurimet për blerje topash basketbolli e volejbolli – të gjitha të fituara nga i njëjti operator.
Më tej, shqetësues është edhe përfshirja e punonjëses së biznesit privat, të z.Fidel Ylli në pozicionin e shefes së misionit të Lojërave Olimpike ‘Paris 2024, duke ngritur dyshime serioze për praktika të papranueshme të menaxhimit të interesit publik.
Duket se Fidel Ylli, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe aktualisht Kryetar i KOKSH, gëzon mbështetjen e kryeministrit Edi Rama.
Sporti shqiptar meriton pavarësi, drejtësi dhe integritet. Heshtja nuk është më një opsion.