Një magazinë në Vorë është zbuluar nga policia si qendër ku falsifikoheshin etiketa të produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas në mënyrë kriminale hidheshin sërish në treg.
Aktiviteti i rëndë kriminal ushtrohej në fabrikën “Master AL”, pronë e Skifter Taganit në qytetin e Vorës. Skifter Tagani grumbullonte ushqime të skaduara nga tregje të ndryshme të vendit, kryesisht në qytete si Tirana, Elbasani dhe Durrësi por edhe nga jashtë Shqipërisë, të cilat më pas i dërgonte në magazinën e tij në Vorë.

Pavarësisht këtij skandali dhe raportimeve të shumta të qytetarëve për produkte jocilësore të blera në markete të ndryshme, policia dhe prokuroria “mbyll sytë” pasi Skifter Tagani vetëm është proceduar penalisht, pa u marrë masa më të rënda ndaj tij.
Më rëndë e kanë pësuar punonjësit e magazinës. Florenc Domi dhe Agim Domi, të cilët mbanin detyrën e administratorit dhe magazinierit, respektivisht, janë ndaluar për hetime të mëtejshme. Po ashtu është proceduar edhe një shofer i fabrikës, 58-vjeçari me inicialet A.D.
Operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, çoi në sekuestrimin e sasisë prej 716 kolish dhe dhjetëra kilogramësh mallra ushqimore të përpunuara, me afat skadence të falsifikuar.
Sipas hetimeve, subjekti me aktivitet import-eksport grumbullonte mallra ushqimore të skaduara nga tregjet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.
Pas ndryshimit të etiketimeve, produktet hidheshin në treg pa dokumentacion ligjor apo tatimor. Produktet kishin skaduar në muajt janar dhe shkurt 2025.
Sipas hetimeve, subjekti me aktivitet import-eksport grumbullonte mallra ushqimore të skaduara nga tregjet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Pas ndryshimit të etiketimeve, produktet hidheshin në treg pa dokumentacion ligjor apo tatimor.
“Zbulohet në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg. Sekuestrohen sasi të mëdha mallrash ushqimore të përpunuara të skaduara në muajin janar dhe shkurt me etiketa skadence të falsifikuara. Arrestohen në flagrancë administratori i magazinës dhe magazinieri. Procedohen penalisht ortaku dhe shoferi i magazinës. Në kuadër të planit të masave për kontrollet në magazina, dyqane dhe supermarkete, me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara, u finalizua operacioni “Siguria Ushqimore”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. D., 38 vjeç, administrator i subjektit dhe A. D., 58 vjeç, magazinier. U proceduan penalisht shtetasit S. T., 56 vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës. Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhera kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
- Pamjet nga aksioni
Lexo edhe:
FOTO/ Ky është Skifter Tagani që helmoi shqiptarët me ushqime të skaduara