Policia po ushtron kontrolle në Bajram Curri, ku dyshohet se fshihet një prej autorëve të rrëmbimit dhe vrasjes së Renis Dobrës, i cili u gjet pa shenja jete në orët e para të 9 Korrikut pranë liqenit të Shkopetit.
Bëhet fjalë për Petrit Çakrrin alias Hoxha, një nga dëshmitë kryesore në vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari, teksa ndër vite nuk i janë ndarë problemet me drejtësinë që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me armë me policinë dhe akuzat për mashtrim me pasoja të rënda. Ai ishte liruar nga burgu më 11 Prill 2025.
Lajmi është bërë me dije nga gazetarja Klodiana Lala gjatë emisionit “Në Shënjestër”. Ai është identifikuar nga dy automjete që kishte marrë me qira në zonën e Rinasit, një automjet “Honda” ngjyrë e bardhë dhe një tjetër “Range Rover”, ngjyrë e zezë.
Këto dy automjete janë identifikuar nga kamerat e sigurisë duke ndjekur automjetin e Renis Dobrës, si dhe nga “GPS” i automjetit tip “Range Rover”.
Pas krimit, Petrit Çakrri është larguar drejt Kosovës përmes Morinës dhe më pas dyshohet se është rikthyer përmes kufirit të gjelbër në Tropojë, ku dyshohet se dhe strehohet.
Renis Dobra dyshohet se është ekzekutuar nga përplasja e grupeve të trafikut të lëndëve narkotike, teksa ai ishte dhunuar dhe mbytur me litar.