Parlamenti rinisi punën në fund të majit pas vakuumi dy mujor për shkak të fushatës elektorale, duke mbajtur pezull procedurën e raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, një procedurë ligjore që duhej të përfundonte brenda kësaj legjislature.
Edhe pas rinisjes së punës së Kuvendit, ky proces nuk është përfshirë në kalendarin 3-javor të punës, ndërkohë që punimet e legjislaturës aktuale pritet të mbyllen me datën 8 korrik.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka njoftoi komisionin se kishte një draft kalendar provizor për raportimet dhe se datat do rishiheshin në varësi të të përgatitjes së relacioneve përkatëse edhe nga konsultimi publik.
Raportet e institucioneve të pavarura u depozituan në Kuvend gjatë muajve mars-prill dhe më 2 qershor janë hedhur në platformën e konsultimit publik, ku do të presin komente nga organizatat e shoqërisë civile deri më datë 16 qershor.
Në dispozicion mbetet një afat i ngushtë kohe për gjithë procesin, që parashikon, raportim në komisione, raportim dhe diskutime në seancë plenare dhe miratimi i rezolutave parlamentare me ‘detyra shtëpie” për punën e tyre për vitin 2025.
Organizatat e të drejtave të njeriut që monitorojnë punën e Kuvendit e konsiderojnë këtë vonesë një neglizhencë të Kuvendit për të ushtruar rolin e tij kontrollues në kohë, duke rrezikuar që ky proces me rëndësi të kthehet në një proces thjesht formal.
Erida Skëndej, drejtoreshë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i tha BIRN se nuk do të kishte kuptim që ku proces të shtyhej për legjislaturën e re që nis në shtator, pasi rekomandimet që lihen për institucionet në rezolutat parlamentare janë të vlefshme për vitin 2025.
“Nëse këto raporte mbarten në legjislaturën e re, shqyrtimi i tyre nga Parlamenti merr një karakter formal, dobësohet kontrolli parlamentar dhe po kështu, këto rezoluta mbeten formale për vetë institucionet e pavarura, pasi ato nuk kanë kohën e mjaftueshme për t’i zbatuar ato,” tha Skëndaj.
Sipas saj, Parlamenti duhet të kishte menaxhuar më herët procesin e shqyrtimit të raporteve të institucioneve të pavarura duke marrë parasysh zgjedhjet e 11 majit.
Shtyrja e procesit bie gjithashtu në shkelje të Rregullores së Kuvendit ku është parashikuar përfundimi i tij jo më vonë se qershori.
Me interes pritet raportimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Shpesh, krerët e këtyre institucioneve janë pritur me kritika në Kuvend nga deputetë të opozitës apo të mazhorancës.
Një vit më parë, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u përball me 100 pyetje në seancë plenare kryesisht nga deputetë të opozitës, të cilët e sulmuan si të njëanshëm politikisht dhe i kërkonin llogari për çështje konkrete hetimore.
Kuvendi i ndërpreu punimet që në mes të muajit mars, pasi deputetët u përfshinë në fushatën elektorale të partive politike.
Sipas Kushtetutës, kjo legjislaturë nuk mund të shqyrtojë dhe miratojë ligje të reja në afatin kohor të 60 ditëve para konstituimit të parlamentit të ri, kështu që puna e tij është e kufizuar deri në fillim të korrikut./BIRN