Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor Sukth-Vadardhë rreth orës 20:45, një automjet përplasi një 54-vjeçar dhe u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, pa i dhënë ndihmën e parë.
Policia u njoftua për ngjarjen dhe nisi një operacion për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Brenda pak orësh, specialistët e Policisë Rrugore arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë shtetasin D. M., 42 vjeç, banues në Sukth, i dyshuar si drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin dhe u largua.
Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar edhe automjeti me të cilin dyshohet se është kryer aksidenti.
I dëmtuari ndodhet aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa materialet në lidhje me rastin i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.