Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë veprime proceduriale në Bashkinë Pukë, si pjesë e një hetimi penal që lidhet me krime zgjedhore të dyshuara gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë sekuestruar 4 aparate celularë, përfshirë edhe atë të nënkryetarit të bashkisë, Ndue Suma.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Suma është nën hetim për veprën penale “dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, e cila lidhet me përfitime të paligjshme në këmbim të votës.
Në këtë procedim penal janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në shkeljet e ligjit zgjedhor gjatë periudhës parazgjedhore në këtë bashki të veriut të vendit.