• Kontakt
Thursday, May 22, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Ligji i strehimit favorizon oligarkët e ndërtimit, 83 mln euro të zhdukura

22:18 : 21/05/2025
në AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE

Strehimi mbetet një nga problemet më të mëdha për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për të rinjtë që kërkojnë të krijojnë një familje, apo për familjet që duan të ndërtojnë një jetë në Tiranë, ose kudo tjetër në qytetet e Shqipërisë. Programet për strehim janë thuajse inekzistente, ndërsa ato që quhen “programe” janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që qytetari të mos përfitojë prej tyre.

Sot do të hedhim dritë mbi milionat që mblidhen në emër të strehimit, por që më pas zhduken, duke lënë edhe kategoritë më në nevojë të ekspozuara ndaj abuzimeve me çmimet e ndërtimit.

Censi i popullsisë i vitit 2023 nxori në pah një mangësi të madhe në lidhje me çështjen e strehimit. Mijëra banesa janë bosh, ndërsa mijëra familje janë të pastreha dhe pa mundësi për t’i blerë ato. Ndërkohë që ky hendek thellohet, mijëra metra katrorë sipërfaqe ndërtimi vijojnë të shtohen përmes lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkitë.

Në pesë bashkitë e qarkut të Tiranës – Kavaja, Rrogozhina, Kamza, Vora dhe vetë Tirana – rezulton se jetojnë gjithsej 247.466 familje me 758.513 banorë. Por vetëm 186.870 familje janë pronarë ose janë në proces të përfitimit të aktit ligjor të pronësisë. Sipas censit, 60.596 familje nuk kanë një banesë në pronësi, ndërkohë që vetëm në këtë qark rezultojnë 85.457 banesa bosh. Praktikisht, 26.6% e totalit prej 321.821 banesave në këto 5 bashki janë të pabanuara. Pavarësisht bumit të ndërtimeve në pallate shumëkatëshe, vetëm në qytetin e Tiranës përllogariten rreth 40 mijë apartamente bosh.

NUMRI I FAMILJEVE – QARKU TIRANË

Lexo edhe:

Sistemi zgjedhor favorizon partitë e mëdha/ Si do të ndaheshin mandatet me “mazhoritar kombëtar”

Tiranë/ Rriten kërkesat për blerjen e apartamenteve në periferi

Në total: 247.466 familje

Shtëpi në pronësi: 186.870 familje

Qiramarrës: 39.572 familje

Marrëveshje tjetër banimi: 21.024 familje

NUMRI I BANESAVE – QARKU TIRANË

Në total: 321.821 banesa

Të banuara: 236.364 banesa

Të pabanuara: 85.457 banesa

NUMRI I BANESAVE NË SHQIPËRI

Cens 2011: 1.012.400 banesa

Cens 2023: 1.082.529 banesa

Rritja: +70.129 banesa

Ky numër kaq i lartë, pra 60 mijë familje pa strehë në Tiranë, ka si shkak kryesor çmimet e larta të ndërtimit. Sot, për të blerë një apartament me të ardhurat mesatare në Shqipëri, duhet një jetë për ta paguar – dhe kjo, duke supozuar se nuk shpenzon asnjë qindarkë për nevojat e tjera jetësore.

Sa i përket sipërfaqes së banimit, vihet re se familjet në këto pesë bashki jetojnë në banesa me sipërfaqe të vogël. Janë mbi 103 mijë familje që banojnë në banesa me sipërfaqe 40–69 metra katrorë, të ndjekura nga rreth 70 mijë të tjera që jetojnë në banesa me sipërfaqe 70–99 metra katrorë.

Sollëm këto shifra jo për të diskutuar mbi tregun e ndërtimeve – një temë që kërkon jo një, por disa emisione. Sot do të ndalemi te neglizhenca e shtetit përballë problemit të strehimit. Për publikun do të sjellim fakte se si miliona euro dhe mijëra metra katrorë sipërfaqe ndërtimi përfitohen si taksë për zbutjen e këtij hendeku social, por deri më sot, askush nuk e di se ku kanë përfunduar këto fonde.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ndalin propagandën, banesat sociale në Shkozë mbeten të fundit që janë ndërtuar për familjet në nevojë. Prej asaj kohe, procesi i strehimit është mbuluar nga terri.

ërballë kësaj propagande, emisioni Plug iu drejtua Bashkisë së Tiranës për të marrë informacion në lidhje me programet e strehimit. Konkretisht:

  • Cila është sipërfaqja e përfituar në bazë të ligjit, si taksë për lejet e ndërtimit?
  • Sa është shuma në para e mbledhur nga kjo taksë?
  • Sa është sipërfaqja e ndërtimit që është kthyer në apartamente për qytetarët nga viti 2019 deri më sot?

Deri në momentin e transmetimit, Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Refuzimi për të ofruar informacion ndodh në një kohë kur të dhënat vetë i rrëzojnë pretendimet publike.

Megjithatë, Plug ka siguruar të dhëna zyrtare nga Bashkia e Tiranës mbi fondin e banesave sociale, të siguruara si rrjedhojë e kontributit 3% të sipërfaqes ndërtimore që ndërtuesit janë të detyruar të japin për strehim social:

  • 2019: 73 leje ndërtimi me sipërfaqe ndërtimore mbi 2000 m²
  • 2020: 62 leje ndërtimi – 15,737.7 m² për fondin publik
  • 2021: 81 leje ndërtimi – 22,261.1 m²
  • 2022: 77 leje ndërtimi – 23,957.2 m²
  • 2023: 62 leje ndërtimi – 16,853.1 m²
  • Janar–Mars 2024: 12 leje ndërtimi – 4,517 m²

Totali i sipërfaqes së përfituar (2020–2024): 83,326.1 m²

Nëse kjo sipërfaqe do të konvertohej në para, me çmimin mesatar të referencës në Tiranë, ajo do të kapte vlerën e rreth 83 milionë eurove. Por sipas vetë Bashkisë, nga ndërtuesit janë mbledhur vetëm 27 milionë euro, dhe në formë fizike janë përfituar vetëm 21 apartamente.

Të dhënat e deklaruara nga Bashkia Tiranë (në lekë):

Tipologjia             2020       2021       2022       2023

Kontributi në fondin social           360,975,425        496,745,950        959,849,450        893,829,905

Për vitin 2019, 32% e lejeve e kanë shlyer taksën në vlerë monetare.

Për vitin 2020: 29% në para, 6% në formë të kombinuar (apartamente + para).

2021: 35% në para, 9% në kombinim.

2022: 69% në para, 3% në kombinim.

2023: 65% në para, 2% në kombinim.

Sipas të dhënave të censit, sipërfaqja mesatare e një banese në Tiranë është 70 m². Me përllogaritje të thjeshtë, nga 83,326.1 m², Bashkia mund të kishte siguruar strehim për mbi 1100 familje apo çifte të reja. Por në realitet, janë dorëzuar vetëm 21 apartamente dhe nga 83 milionë euro të mundshme, janë raportuar vetëm 27 milionë euro.

Për më tepër, nuk ka asnjë transparencë se ku kanë përfunduar këto para. Bashkia e Tiranës i detyrohet qytetarëve një përgjigje të qartë: ku janë kanalizuar fondet e mbledhura në emër të strehimit? Apo duhet të jetë SPAK që të hetojë se si janë zhdukur të ardhurat e përfituara nga taksat për ndërtim?

Ndërkohë, Bashkia ka lënë në hije fondin e garantuar për strehimin social dhe ka dalë para publikut me projektin e kredive të buta. Një iniciativë që, në thelb, synon të ndihmojë kategoritë në nevojë, por për shkak të kushteve jo të favorshme, është refuzuar gjerësisht dhe nuk ka arritur të përmbushë kuotat vjetore.

Përfundimi:

Në pesë vite, nga një taksë ligjore që synon të ndihmojë qytetarët më në nevojë, janë zhdukur miliona euro dhe janë përfituar vetëm 21 banesa. Kjo është një thirrje për transparencë, për llogaridhënie dhe për veprim të menjëhershëm institucional.

Pra siç e ndoqët, qindra mijra metra katrorë leje ndërtimi që janë dhënë në Tiranë duhet të ishin përkthyer mijra metra katrorë banesa për të pastrehët. Por paratë u morën në emër të strehimit, e më pas u zhdukën, madje duke shtuar probleme. Çmimet u rritën edhe për shkak të shtimit të taksës, ndërsa qytetarët nuk përfituan as nga taksa, por iu shtua edhe më shumë pamundësia për të blerë vetë një apartament. Çdo gjë duket se ka qenë e mirëllogaritur, e për këtë janë miratuar një sërë ligjesh e Vendimesh të Këshillit Bashkiak, në mënyrë që e gjithë procedura të ishte e justifikuar.

Më 3 maj të vitit 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin Nr. 22.2018 “Për strehimin social”. Ky ligj krijoi kushtet që qeverisja qëndrore dhe lokale të kujdesen për shtresat në nevojë, të cilat nuk kanë mundësi të sigurojnë një strehë. Sipas nenit 11 të këtij ligji, shteti përcaktonte disa lloje programesh strehimi, ku përfshihen:

Neni 11

Llojet e programeve sociale të strehimit 1.

Në programet sociale të strehimit përfshihen:

a) programi i banesave sociale me qira,

b) programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;

c) programi i banesave me kosto të ulët, në vijim BKU;

ç) programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;

d) programi për krijimin e banesave të përkohshme;

dh) programi i banesave të specializuara.

Ligjvënësi mendoi edhe sesi do të sigurohej fondi apo streha për të pastrehët. Për këtë, në Nenin 19 të ligjit, u përcaktua që pas hyrjes në fuqi të këtij akti, çdo subjekt që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2 mijë metra katrorë, duhet që 3 për qind të kësaj sipërfaqe ta japë si  shpërlim për fondin publik të banesave sociale.

 Neni 19

Kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik.

1. Çdo subjekt privat që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 3 për qind të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale. Kjo sipërfaqe, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepet në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi. Kontrata që nënshkruhet mes palëve për kalimin e sipërfaqes ndërtimore në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Pra në pamje të parë, ligji Për strehimin social do të zgjidhte një nga problemet më të mëdha të shqiptarëve, Strehimin. Por ky akt juridik i Kuvendit nuk u prit mirë nga ndërtuesit. Në datën 2 korrik 2019, shoqata e ndërtuesve paditi Kuvendin e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e Nenit. 19 të ligjit. Gjykata dha vendim në datën  29 prill të vitit 2021, ku vendosi rrëzimin e kërkesës së shoqatës së ndërtuesve, duke lënë në fuqi ligjin.

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të zhvilluara çështjen me: Kërkuese:   Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Objekti:  Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 19, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”. Pezullimi i zbatimit të nenit 19, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi mungesën e legjitimimit në drejtim të përfaqësimit të kërkueses në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë arsye,

VENDOSI:   

–  Rrëzimin e kërkesës.

Një vit pasi ligji u miratua në Kuvend dhe pasi ndaj tij ishte ngritur një padi në gjykatën Kushtetuese nga shoqata e ndërtuesve,  Bashkia e Tiranës kaloi në Këshillin Bashkiak vendimin Nr.105, të datës 25 tetor 2019, “Për miratimin e procedurës për kontributin e sektorit privat në krijimin e fondit publik të banesave sociale që kalojnë në pronësi të bashkisë Tiranë nga ndërtimet e reja”.

Ky  vendim do të tejkalonte ligjin e miratuar në kuvend, duke favorizuar ndërtuesit. Ndonëse ligji parashikonte që ndërtuesi duhet të jepte 3 përqind të sipërfaqes ndërtimore si hapësirë për banesat sociale, Erion Veliaj dhe këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak u dhanë mundësi ndërtuesve për të konvertuar sipërfaqet ndërtimore në vlera financiare. Në pikën gjashtë të vendimit Nr. Nr. 1 05, datë 25.10.2019, përcaktohej:

Në rast se siperfaqja takuese në favor të Bashkise Tiranë sipas parashikimeve te ketij vendimi, ofrohet nga zhvilluesi privat që të paguhet ne vlerë leku, konvertimi i sipërfaqes përllogaritet duke shumëzuar sipërfaqen takuese me vlerën e referencës të banesave ne zonën për te cilen ka aplikuar per leje ndertimi, sipas percaktimit te bërë me udhëzim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Vlera e perfituar shkon në buxhetin e Bashkisë Tiranë në programin e strehimit social.

Me këtë vendim, Këshilli Bashkiak i hapte rrugë favorizimit të ndërtuesve të kullave, që kanë marrë leje ndërtimi në qendër të Tiranës, aty ku çmimet për metër katror kapin vlera shumë të larta. Tashmë ndërtuesit mund të paguanin me para taksën 3% të strehimit social, duke marrë bazë çmimet e referencës dhe jo ato të tregut, apo mund të jepnin sipërfaqen që i detyroheshin bashkisë në një ndërtim tjetër, që mund të ishte dhe në lagjet periferike.

Po në të njëjtin vendim, Këshilli Bashkiak i Tiranës, përcakton edhe tipologjinë e apartamenteve që do të jepnin ndërtuesit në favor të pushtetit lokal, që do të shpërndaheshin më pas për të pastrehët. Në aneksin Nr.1 të vendimit thuhej:

Vendimi Këshillit Bashkiak

Çdo investitor/ zhvillues që paraqet kërkesën për leje ndërtimi pranë bashkisë Tiranë, për një objekt banimi me sipërfaqe mbi 2000m2 detyrohet që çdo sipërfaqe banimi mbi 2000 metra ta konvertojë në apartament banimi të përshtatur sipas normave të strehimit më psohtë:

l. Apartament tip garsionere (l dhomë ndjenje/gjumi+ aneks gatimi+banje)– deri në 50 m2

2.Apartament tip 1+l (1 dhoma gjumi +l aneks Gatimi+l banje)– deri ne 60 m2

3. Apartament tip 2+l (2 dhoma giumi +1 aneks Gatimi+l banje)– deri n€ 75 m2

4. Apartament tip 3+1 (3 dhoma gjumi +1 aneks Gatimi+l banje)– deri ne 90 m2

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak kur u miratua vendimi, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, tashmë i arrestuar, merrte përsipër të thoshte se qeveria i kishte lënë dorë të lirë bashkive të interpretonte ligjin, duke përcaktuar se si do të merrej 3 përqindëshi nga ndërtuesit.

Ne kemi qenë në një ngërç sepse na duhet të përkthejmë në aktet nënligjore se si do zbatohet 3% i banesave sociale për ndërtuesit. Pra përveç taksës që i paguhet bashkisë, ka edhe një fond të banesave sociale. Ligji ua ka kaluar bashkive sesi duhet ta interpretojmë. Pra, ajo që kemi bërë me këtë vendim, i kemi dhënë sot disa mundësi privatit: mund të na japi 3% aty ku ndërton, mund të na e japi këtë 3% sipas vlerës së vendit ku po ndërton në një vend tjetër, ose në qoftë se ka një fond banesash të pa shitura. Ky shkon në një fond të posaçëm vetëm për banesa sociale. Kështu zgjidhim edhe këtë ngërç.

Kjo deklaratë e Erion Veliajt dhe vendimi i Këshillit Bashkiak, i hapi rrugë një abuzimi. Ligji për strehimin social i miratuar nga Kuvendi, në Nenin. 19., nuk përcaktonte që sipërfaqja ndërtimore që ndërtuesi duhet t`ia jepte bashkisë, mund të konvertohej në lekë. Këtë interpretim e bëri Erion Veliaj dhe këshilli bashkiak pa pasur akte nënligjore, të cilat do të miratoheshin vite më vonë duke përfshirë edhe ndryshime në ligj, që do të orjentonin pikërisht pushtetin lokal për formën se si mund të merrej sipërfaqja 3% për strehimin social.

Teksa Erion Veliaj mblidhte para nga ndërtuesit duke shkelur ligjin, Gjykata Kushtetuese kishte lënë në fuqi dispozitën që përcaktonte qartë, se 3 përqindshi mund të jepej vetëm si sipërfaqe ndërtimore në atë ndërtim që ishte dhënë leja e ndërtimit apo në një vend tjetër. Madje, dy vjet pas vendimit të gjykatës Kushtetuese dhe gjashtë vjet pas miratimit të vetë ligjit, Edi Rama deklaronte para ndërtuesve edhe më i ashpër, duke e cilësuar të padrejtë faktin që 3% i strehimit social, nuk jepej në të njëjtin ndërtim që ishte dhënë leja e ndërtimit por diku tjetër.

Këtë deklaratë të bërë para ndërtuesve, Edi Rama do ta shkelte po vetë 7 muaj më pas, madje këtë herë duke legjitimuar edhe abuzimet e Erion Veliajt. Më 24 maj të vitit 2024, Edi Rama firmosi nxjerrjen e këtij vendimi që shihni në ekran. Bëhet fjalë për vendimin e Këshillit të Ministrave me objekt “PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR KONTRIBUTIN E SEKTORIT PRIVAT NË KRIJIMIN E FONDIT PUBLIK TË BANESAVE SOCIALE”. Me këtë vendim, Edi Rama jo vetëm që hoqi dorë nga deklara e tij se sipërfaqja 3 përqind për strehim social duhej të jepej në të njëjtin objekt ku ishte dhënë leja e ndërtimit, por ai ligjëroi edhe abuzimin gjashtë vjeçar të Erion Veliajt. Konkretisht, në pikën dy të VKM-s Nr. 325, datë 29.5.2024, qeveria i hapte rrugë ndërtuesve që sipërfaqen 3% të strehimit social, ta konvertonin edhe në para.

VKM Nr. 325, datë 29.5.2024

2. Në kontratën paraprake midis njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit privat, që paraqet kërkesën për leje zhvillimi dhe ndërtimi, përcaktohet mënyra e përfitimit të fondit publik të banesave sociale, referuar sipërfaqeve me metër katror apo e dhënë ajo në vlerë leku, sipas çmimit referues të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, bazuar në sipërfaqen e përgjithshme funksionale të objektit të banimit në ndërtim. Kontrata paraprake lidhet në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit/zhvillimit.

Me këtë vendim, Edi Rama legjitimoi jo vetëm abuzimin e Erion Veliajt, që prej gjashtë vjetësh shkeli ligjin duke u falur mijëra metër katror sipërfaqe ndërtuesve, por gjithashtu, legjitmoi edhe abuzimin që vinte si rrjedhojë e vendimit të këshillit bashkiak të vitit 2018, ku ndërtuesi mund të konvertonte dhënien në para të sipërfaqes 3% për strehimin social. Pagesa për këtë sipërfaqe përcaktohej të bëhej me çmimet e referencës dhe jo me çmimet e tregut. Pra thënë më qartë. Erion Veliaj bashkë me Edi Ramën, u falën dhjetëra milionë euro apo m2 ndërtuesve të kullave në Tiranë.

Më 27 korrik të vitit 2023, u publikua në Fletoren Zyrtare ndryshimet ligjore të miratuara në kuvend. Në Nenin 19, ku përcaktohej se ndërtuesit privat do të jepnin 3 % të sipërfaqes ndërtimore si kontribut për strehimin social, Parlamenti shtoi edhe pikën 3 në këtë nen, ku përcaktohej:. Rregullat e zbatimit të këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra qeveria do të ishte ajo që do vendoste sesi private do ta jepte 3% të strehimit social dhe jo Këshilli Bashkiak.

Tashmë me rregulla loje të ndryshuara, më 8 tetor 2024, Këshilli Bashkiak i Tiranës nxjerr për herë të parë një vendim, për zbatimin e këtij program të riformatuar. Bëhet fjalë për VKB-n me Nr.104, datë 8.10.2024“PËR  PËRLLOGARITJEN E MASËS SË QIRASË TË APARTAMENTEVE TË FONDIT PUBLIK TË BANESAVE SOCIALE TË PËRFITUARA NGA KONTRIBUTI I SEKTORIT PRIVAT DHE MIRATIMIN  E SISTEMIT TË PIKËZIMIT PËR PËRFITUESIT E KËTIJ PROGRAMI”. Ky vendim përcaktonte:

VKB Bashkia Tirane

1. Përllogaritjen e masës së qirasë së apartamenteve të përfituar të fondit publik të banesave sociale të përfituara nga kontributi i sektorit privat në përputhje me parashikimet e pikës 5, të nenit 30, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, të ndryshuar.

2. Miratimin e sistemit të pikëzimit për përfituesit e programit “Banesa sociale me qira”, për apartamentet e fondit publik të përfituara nga kontributi i sektorit privat, sipas tabelës nr. 1, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.

3. Ngarkohet kryetari i Bashkisë, për nxjerrjen e akteve të nevojshme në funksion të realizimit të programit “Banesa sociale me qira” dhe qëllimit të këtij vendimi.

Ndërkohë, akti nuk shoqërohej me relacione përkatëse që përcaktonin masën e qirasë për familjet që do të përfitonin nga ligji. Megjithatë, vetëm disa javë më vonë, në 10 dhjetor 2024, bashkia e Tiranës hapi thirrjen: Banesa sociale me qira”, faza e 1 dhe faza e 2. Thirrja qëndroi e hapur nga data  10 deri në datën 17 dhjetor 2024, ku brenda 7 ditësh qytetarët e ineresuar për të përfituar nga banesat e siguruara nga dhurimi që kanë bërë ndërtuesit, duhet të aplikonin nëpërmjet E-Albania për përfitimin e një banese sociale me qira. Pra, thënë më thjeshtë, edhe pse Bashkia ua mori falas ndërtuesve sipërfaqet ndërtimore, përsëri qytetarëve do t`ua japë me qira, duke i privuar sërish familjet e pastreha që të përfitonin një banesë që u takonte me ligj.

Bazuar në ligjin e sipërcituar programet sociale të strehimit që gjejnë zbatim në Bashkinë e Tiranës janë si më poshtë: 1. Programi i Banesave Sociale me Qira 2. Programi Subvencionimi i Interesave të Kredisë 3. Subvencionimi i Qirasë. Nga të dhënat e siguruara nga Plug rezulton se për programin e Banesave Sociale, që lidhet drejtpërdrejtë me fondin 3% që krijohet nga kontributi i biznesit privat, Bashkia e Tiranës nga viti 2019 deri në vitin 2024 nuk ka shpërndarë asnjë banesë.

Vetëm në muajin dhjetor 2024 bashkia e Tiranës hapi thirrjen për banesat aplikime nga qytetarët që duan të përfitojnë nga banesat sociale që janë përfituar si rrjedhojë e kontributit të biznesit privat. Deri më tani nuk dihet nëse këto banesa janë shpërndarë dhe nëse po kush janë përfituesit.

Për këtë emisioni Plug i ka dërguar një kërkesë për informacion bashkisë, të përmendur më herët në emision, por ende nuk ka marrë përgjigje. Të vetmet banesa sociale janë rreth 117 apartamete, të shpërndara me vendimet përkatëse të këshillit bashkiak në vitet 2015 dhe 2016.  Në lidhje me programin e “subvencionimit të qirasë”, bashkia e Tiranës gjithashtu e ka futur si program pas vitit 2018 të dhënat tregojnë se numri i përfituesve shumë i ulët në raport me aplikuesit.

Mesatarisht, çdo vit, duke nisur nga viti 2018 e deri në vitin 2024, kanë përfituar rreth 300 familje në vit. Edhe në këtë program, subvencionimi i qirasë është bërë për shtresa dhe grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë komunitetin rom, egjyptian, LGBT, jetimët, familjet me anëtarë invalid etj. Ndërsa shumë pak përfitues janë në radhët e familjeve të reja.

Shembullin e bashkisë së Tiranës duket se e kanë ndjekur edhe bashki të tjera në vend. Nga një artikull investigative i botuar kohë më parë në INA Media, raportohet se edhe në bashkitë e Durrësit, Fierit, dhe Elbasanit, 3 përqindëshi i strehimit social ose u është falur ndërtuesve ose është mbledhur në para.

Bashkia e Durrësit bën të ditur se: “Shuma e mbledhur në buxhetin e bashkisë nga taksa 3% e ndërtuesve për strehimin social në territorin e Bashkisë Durrës për vitin 2022 dhe 2023 është 0 lekë. Bazuar në të Ligjin Nr. 22, datë 03.05.2018 “Për strehimin social”, është përfituar sipërfaqe ndërtimore në favor të fondit publik të banesave sociale”.

Gjatë këtyre dy viteve kjo bashki ka përfituar sipërfaqe ndërtimi në total prej 632.63 m² nga 5 subjekte ndërtimi. Bashkia Elbasan, për vitin 2022  ka përfituar vlerën prej 955 700 lekë, Kjo bashki bën të ditur se pritet të përfitojë edhe një sipërfaqen prej 166.91 metra katorë nga një prej subjekteve që po ndërton, si dhe sipërfaqe prej 175.5 dhe 429.69 metra katrorë nga dy subjekte të tjera.

Bashkia Fier, shprehet se: “Nga verifikimet e bëra gjatë viteve 2022- 2023, Bashkia Fier nuk ka miratuar leje me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2000 metra katrorë”.

Në përfundim, vlen të theksojmë se edhe vetë qeveria pranoi zyrtarisht se dështoi të zgjidh problemin e strehimit nëpërmjet kontributit 3% që ndërtuesit japin për banesat sociale. Në datën 18 mars, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije, se shtatë vjet pas miratimit të ligjit, shteti nuk ka ende inventarizim të pritshmërive që duhet të ishin arkëtuar qoftë në metra katrorë apo në vlerë financiare të përfituara nga 3 % e strehimit social, madje ai paralajmëroi se po shihen mënyra të tjera për të garantuar funksionimin e këtij instrumenti.

Blendi Gonxhja

‘Sa i takon taksës 3% për ndërtuesit ende nuk kemi një inventarizim të pritshmërive që duhet të ishin arkëtuar qoftë të metrave katrorë dhe të vlerave të përfituara nga 3% i strehimit social. Ka munguar një metodologji kontrolli në nivel kombëtar, jemi në diskutime që të gjejmë një mënyrë tjetër të garantimit të suksesit të këtij instrumenti. Po punojmë që të vlera e strehimit të arrijë nga 8 mln euro programin, në afro 75 deri 80 milionë euro në vit, ta 10-fishojmë. Nga kredi me interesa zero, banesa sociale, kredi me interesa shumë të ulta etj.

Pra ligji është, se e miratuan vetë. Fondet janë po aty, se i paguan ndërtuesit, por vetëm qytetarët nuk mund të përfitojnë.  Në mënyrë të përmbledhur, me miratimin e ligjit në fuqi, familjet e pastreha në Tiranë mund të kishin përfituar 1100 apartamente apo 83 milionë euro për tu ndërtuar apartamente për ta. Por sot Bashkia e Tiranës ka në inventar për 6 vite, vetëm 21 banesa dhe 50 milionë euro minus në buxhet, për të cilat dikush duhet të jap llogari para drejtësisë!

/Emisioni “PLUG”

Etiketa: apartamenteBashkia e Tiranesfavorizonligjindertimioligarkestrehimizhdukura

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Sistemi zgjedhor favorizon partitë e mëdha/ Si do të ndaheshin mandatet me “mazhoritar kombëtar”

22:50 : 21/05/2025
AKTUALITET

Tiranë/ Rriten kërkesat për blerjen e apartamenteve në periferi

13:29 : 18/05/2025
AKTUALITET

Pas suksesit të kufizuar, partitë e reja i rikthejnë sytë nga sistemi elektoral

08:45 : 17/05/2025
AKTUALITET

Ndryshon ligji i koncesioneve dhe PPP-ve/ Ministritë, jo më autoritete kontraktore

18:56 : 10/05/2025
AKTUALITET

Gazetari: Tregu i ndërtimit në Shqipëri po përballet me stanjacion dhe pastrim parash

12:22 : 08/05/2025
AKTUALITET

5 familje jetojnë mes përmbytjeve në ujëmbledhësin e Bovillës, ende nuk janë shpronësuar

21:03 : 05/05/2025
Para

‘Ishte shumë i zgjuar’,/ Ish prokurori zbërthen pentiton që tronditi Shqipërinë

TË GJITHA

Berisha: Po të mos ishte antimafia italiane, “Visi i Pojës” do ishte duke pirë verë me Edi Ramën

13:19 : 22/05/2025

Berisha denoncon problemet me votën: Duam qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

13:08 : 22/05/2025

La Repubblica: Lumenj droge nga Shqipëria në Puglia

13:03 : 22/05/2025

Mbështetje nga SHBA për reformimin dhe modernizimin e sistemit të burgjeve shqiptare

12:55 : 22/05/2025

Berisha denoncon me VIDEO “trenin bullgar” në Elbasan: Ja provat e gjetura në lokalin e vëzhguesit të PS

12:44 : 22/05/2025

Durrës – I vdes pacientja gjatë operacionit, mjeku akuzohet për neglizhencë në trajtimin mjekësor

12:33 : 22/05/2025

Fëmija 2-vjeçar bie nga ballkoni në Kamenicë

12:27 : 22/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com