Pak javë më parë emision emisioni “Xhadat” përmes kamerave të fshehta arriti të depërtoj brenda zonës së vilave qeveritare Durrës, e cila ishte kthyer në kantier ndërtimi. Ndonëse ruhet nga Garda, vetëm pak nga objektet brenda rezidencës, kanë mbetur shtetërore, ndërsa pjesa tjetër i ka kaluar e gjitha privatëve, kryesisht, biznesmenë të fuqishëm, apo ish-zyrtarëve të lartë. Një ndër ta është dhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Pas transmetimit te pamjeve të vilës së tij, e cila dukej se ishte drejt përfundimit të punimeve, “Xhadat” ju drejtuan me kërkesë zyrtarët për informacion Bashkisë Durrës ku ndër të tjera e pyetën nëse brenda bllokut të vilave qeveritare në Durrës i ishte dhënë leje ndërtimi ish- kryebashkiakut Vangjush Dako.
Në përgjigje Bashkia deklaron se në asnjë vendim nuk është përfitues apo zhvillues i lejeve të ndërtimit , ish-Kryetari i Bashkisë Durrës. Por “Xhadat” kishin kërkuar gjithashtu nga Bashkia vënien në dispozicion të të gjitha vendimeve për miratimin e lejeve të ndërtimit brenda zonës së Vilave Qeveritare.
Mes tyre, gjendet dhe leja e ndërtimit e dhënë në emër të vëllait të ish- kryebashkiakut Vangjush Dako, Edmond Dakos .
Kjo lejë ndërtimi është miratuar me vendimin Nr. 876, datë 07/08/2020. Në leje thuhet konkretisht i jepet: zhvilluesit: Edmond Dako i regjistruar si subjekt me të dhënat e mëposhtme: nuis/nid g2…………gazetarët bënë një kërkim në QKB me këtë numër Nipti ku nuk rezulton asnjë subjekt i regjistruar.
Nipti i subjektit përfitues të lejes së ndërtimit pas hulumtimeve tona na rezulton të jetë numri personal apo ID e shtetasit Edmond Dako, vëllait të Vangjush Dakos. Leja e ndërtimit është dhënë për objektin rindërtim banese, 1 kat me një kat nëntokë, me afat punimesh tre vjet. Bazuar në dokumentin e Bashkisë, sipërfaqe e përgjithshme e truallit është 1000 metër katrorë, ndërsa sipërfaqe e përgjithshme e ndërtimit total 829 metër katrorë.
Kjo leje është dhënë në vitin 2020, nga kryetarja aktuale e Bashkisë Durrës Emirjana Sako, e cila në atë kohë mbante postin e zëvendës kryetares së Bashkisë së dytë më të madhe në vend. Leja e ndërtimit brenda bllokut të rezidencave Qeveritare në Durrës në emër të vëllait të Vangjush Dakos, është dhënë një vit pasi Dako, vendosi të largohej nga politika, duke mos kandiduar në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
Por a nuk veproi, me po të njëjtën skemë Dako edhe me biznesin e themeluar prej tij, që sot rezulton gjithashtu në emër të vëllait, Edmond Dako?
“Xhadat” treguan përmes dokumenteve zyrtare se si kompania “3-D shpk” e themeluar nga Vangjush Dako, në vitin 1997, i kaloi në administrim vëllait të tij, teksa Vangjushi, u angazhua në politikë.
/Emisioni “Xhadat”